.
×

Për 10 muaj, rreth 5 mijë qytetarë të Kosovës hoqën dorë nga shtetësia



Botapress 10 Nëntor – Mundimi për t’u pajisur me një vizë, mosliberailizimi, rrethanat politike, sociale, ekonomike e personale, janë vetëm disa nga arsyet pse çdo vit, mijëra qytetarë të Kosovës heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Vetëm pesë vitet e fundit, mbi 30 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme që mos të figurojnë më si qytetarë të Republikës së Kosovës. Sipas statistikave që posedon kjo ministri, pothuajse çdo vit, mbi 5 mijë qytetarë të Kosovës heqin dorë nga shtetësia.

Drejtoresha e zyrës për informim në MPB, Rroksana Qarri ka thënë për Indeksonline se deri në tetor, rreth 5 mijë persona kanë bërë kërkesa të tilla. “Gjatë periudhës Janar-Tetor 2018 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 4831 persona. Prej tyre, 2322 janë femra dhe 2509 meshkuj”, ka theksuar Qarri.

Ajo ka përmendur disa nga arsyet me të cilat aplikantët e marrin një vendim të tillë të rëndësishëm.

“Arsyeja e heqjes dorë nga shtetësia e Republikës se Kosovës vjen si rezultat i fitimit të shtetësisë së ndonjë vendi kryesisht të Bashkimit Evropian i cili nuk lejon dy shtetësi për shtetasit e shteteve që nuk janë pjesa e Bashkimit Evropian”, ka thënë tutje Qarri.

Për dallim nga heqja dorë nga shtetësia, numër shumëfish më i vogël kanë aplikuar për t’u pajisur me shtetësinë e Republikës së Kosovës. Sipas Qarrit, gjatë periudhës janar-tetor 2018,shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë fituar 298 persona, shqiptare – 200; serbe – 12; turke – 5 dhe te tjera – 81.

Kujtojmë se qytetarë në numër të madh për heqje nga shtetësia aplikuan edhe viteve të kaluara. Kështu, numri i personave që janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës ndër vite ishte: 2013 – 5177, 2014 – 5157, 2015 – 5537, 2016 – 5871, 2017 – 5699.