.
×

Pellegrini: Kosova të ndalojë provokimet, po e cenon sigurinë e rajonit



Kryeministri i Sllovakisë, Peter Pellegrini, ka dalë kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës, duke bërë thirrje që Kosova të ndalojë së tensionuari rajonin me veprime siç i ka quajtur ai “antikushtetuese”. Ai, gjithashtu, ka folur edhe për taksën të cilën Kosova e ka vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke bërë thirrje që Kosova t’i kthehet marrëveshjes dhe rregullave të CEFTA-s.

Këto deklarata Pellegrini i ka bërë pas një takimi me kryeministren serbe, Ana Brnabiq,  duke shtuar se NATO-ja pjesë e të cilës është edhe Sllovakia, ka qëndrim negativ sa i përket nismës së Kosovës për ta formuar ushtrinë.

“Prishtina ka marrë sinjale të qarta se aktivitete e saj (nisma për krijimin e Ushtrisë), janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Nëse veprime të tilla vazhdojnë të cenojnë stabilitetin e rajonit, atëherë Kosova nuk mund të llogaritet nga Evropa si partner i respektuar për të ardhmen. Është një thirrje shumë e hapur që përfaqësuesit e Kosovës të ndalojnë këtë veprim të një anshëm dhe antikushtetues”, ka thënë Pellegrini për nismën e Kosovës për ushtri.

Sa i përket taksës së vendosur, Pelegrini ka thënë se i vjen shumë keq që Kosova nuk po interesohet për të gjetur një zgjidhje paqësore.

“Ata po i rrisin tensionet, dhe po e përshkallëzojnë situatën në rajon”, ka thënë Pelegrini në një konferencë për media.

Ndërsa, kryeministrja serbe Brnabiq ka falënderuar Sllovakinë dhe popullin slloven për përkrahjen e vazhdueshme dhe për ndihmën që Sllovakia ka dhënë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.