.
×

Peja e pret Vitin e Ri në ambient të hapur



Pejanët sivjet do ta kenë mundësinë që ndërrimin e motmoteve ta festojnë në sheshin kryesor të qytetit. Grupe të ndryshme muzikore do të performojnë gjashtë orë në ambient të hapur për argëtimin e qytetarëve të pranishëm.

““Festojmë ndryshe” është motoja e këtij manifestimi që pritet të zgjas deri në orët e hershme të mëngjesit”, thotë organizatori i kësaj ngjarje, Dardan Dervishaj, kryetar i organizatës “DG Group”.

Sipas tij, ky organizim ka për qëllim që qytetarët të solidarizohen me njëri tjetrin duke festuar së bashku ndërrimin e moteve sikurse vende tjera të botës.

“Qytetit të Pejës, jeta e natës është duke i munguar që një kohë të gjatë, për këtë e kemi parë të arsyeshme që të organizojmë një manifestim në shesh, për të gjithë qytetarët që duan ta presin vitin e ri në ambient të hapur. Për atmosferën do përkujdesën grupe të ndryshme të muzikës, vendore dhe ndërkombëtare, për gjashtë orë sa zgjatë programi”, ka theksuar Dervishaj, raporton Koha.net.

Ai tha se pret interval të madh të qytetarëve për të festuar së bashku në sheshin “Skënderbeu” edhe përkundër temperaturave të ulëta që pritet të jenë gjatë mbrëmjes.

Dervishaj ka shtuar se këtë organizim e kanë bërë të mundshëm sponsorët, ndërsa nga autoritet komunale ka marr leje dhe mbështetje morale.

“Edhe pse do jetë ftoftë edhe ne do e presim vitin e ri në ambient të hapur sikurse qytetet tjera të botës, duke u solidarizuar dhe festuar me njëri-tjetrin. Njëkohësisht presim që edhe jeta e natës të ngjallet në këtë qytet”, tha Dervishaj, duke shtuar së për këtë është e njoftuar edhe Policia e Kosovës e cila pritet të jenë prezente në vendin e ngjarjes.

Në këtë manifestim qytetarët do kenë mundësi të shërbehen edhe me pije dhe ushqim nga ora 22:00 deri në orë 04 :00 të mëngjesit dhe të argëtohen me muzikë zbavitëse. /koha/