.
×

PDK nuk ka të drejtë politike, juridike e as morale të qeverisë, apo të bashkëqeverisë me VLAN-in



Ragip Mexhuani

PDK me partitë e vogla që i janë bashkuar asaj nuk kanë asnjë të drejtë të qeverisë apo të bashkëqeverisë me Koalicionin e madh paszgjedhorë, koalicion ky i cili që në mandatin e dytë ka kërkuar rrëzimin e kësaj qeverie, sidomos VV, dhe kjo ka pasuar me shpërbërjen e parlamentit dhe zgjedhjet e parakohshme. Koalicioni paszgjedhor siç është deklaruar nuk hyn me bashkëqeverisje me PDK-në, nuk ka mandatin e votuesve për marrëveshje me PDK-në, për formimin e institucioneve bashkë, këtë e kanë pohuar edhe udhëheqësit e këtij koalicioni edhe gjatë fushatës parazgjedhore. Pasi PDK tri herë nuk mundi ta zgjedh Kryeparlamentarin, tash po mundohet të bashkëqeverisë me koalicionin paszgjedhor, ku së pari e përmendi LDK-në, (duke u munduar t’i përçajë ata mes vete). Që këto parti të jenë nën diktatin e PDK-së me ndonjë Ministri dytësore, PDK përmes Flora Brovinës, po e bllokon kuvendin duke deklaruar që pa marrëveshje me PDK-në nuk do të mbahet asnjë seancë. Bllokaden politike për mosformimin e institucioneve e bëri PDK-ja edhe me ndihmën e Gjykatës Kushtetuese, duke e shkarkuar pa të drejtë Isa Mustafën, i cili ishte zgjedhur nga më shumë se 80 deputet apo 2/3 e shumicës, dhe këtë të drejtë të kryeparlamentarit ia njohu padrejtësisht PDK-së, e cila edhe pasi provojë tri herë nuk mundi ta zgjedhë kryetarin e parlamentit. Pastaj të drejtën për ta udhëhequr seancën padrejtësisht ia njohu vetëm Flora Brovinës. PDK nuk dinë të ngopet, ajo ka humbur orientimin politik moral e ligjor. Kosova, shteti më i varfër dhe  një prej  shteteve më të korruptuara në Evropë e më gjerë. PDK po e quan koalicionin paszgjedhor bllokues të institucioneve, madje edhe përgjegjës për këtë bllokadë, disa nga ta si Adem Grabovci e ndonjë tjetër e përsërisin shpesh këtë. Hashim Thaçi shkoi më lart në seancën e 9 tetorit të kolicionit paszgjedhor, duke e quajtur jo seancë, por takim antlilogjor, anti kushtetues dhe jolegjitim. Thaçi deputetët e koalicionit paszgjedhor (përfaqësuesit e shumicës) i quajti keqpërdorues të hapësirave të Kuvendit, sikur Kuvendi të mos ishte i tyre, pra i shumicës, por vetëm i pakicës PDK-së me koalicionin parazgjedhor që kanë vetëm 36 deputetë.

Dy mandate i ka kryer kjo qeveri, tri mandate nuk ka askund. Koalicionet paszgjedhore bëhen edhe në shtetet tjera, jo vetëm në Kosovë, bile edhe PDK-ja ka bërë koaliicion paszgjedhor me AKR-në. Koalicioni i tashëm paszgjedhor nuk kishte pranuar bashkëqeverisje me PDK-në. Kjo ka ndodh edhe me partitë që kanë dal si të parat pas zgjedhjeve edhe ne vendet e Evropës e gjetiu, nuk mund të qeverisin në rast se nuk gjejnë aleat, por qeverisin partitë tjera që e kanë shumicën parlamentare. Pa partitë e vogla aleate te PDK-së, gati aq vota ka pasur LDK-ja në zgjedhjet e fundit, kurse VV, AAK dhe Nisma kanë fituar 33 parlamentarë, do të thotë VLAN-i ka fituar gati dy herë më shumë se PDK-ja. Pa hyrë në thëniet e udhëheqësve të LVAN-it që PDK-ja i ka vjedhur votat në dy palë zgjedhjet e tjera, kurse në zgjedhjet e fundit i ka blerë.

Presidentja edhe pse e vonuar që në takimin e parë me partitë politike është dashur t’i thotë PDK-së se tri herë nuk mundët ta zgjidhni kryetarin e parlamentit, nuk i keni votat dhe e keni konsumuar të drejtën e juaj, koalicioni paszgjedhor nuk dëshiron bashkëqeverisje me ju dhe e drejta i takon këtij koalicioni që e ka shumicën. Presidentja nuk duhet të humb kohë pro marrëveshjes me PDK-n dhe të diskreditohet si PDK-ja dhe Gjykata Kushtetuese. Koalicioni paszgjedhor është treguar tepër tolerues si ndaj PDK-së, Gjykatës Kushtetutese dhe tani ndaj Presidentes. Isa Mustafa më së voni është dashur të rizgjedhet Kryetar i Parlamentit më 9 tetor të këtij viti. Koalicioni paszgjedhor nuk duhet të bie viktimë e PDK-së, e as ndonjë imponimi nga jashtë, për bashkëqeverisje me PDK-në, sepse kjo do të ishte tradhti ndaj elektoratit dhe ne zgjedhjet e ardhshme do t’i shaktonte humbje të madhe të votave.