.
×

Parlamentari turk i shkruan letër nga burgu Ozilit, i kërkon ta luftojë edhe Erdoganin



Parlamentari turk, Eren Erdem, i ka shkruar letër nga burgu mesfushorit me origjinë turke të Gjermanisë, Mesut Ozil, pas vendimit të tij për ta braktisur ekipin kombëtar të Gjermanisë.

Ai e ka përkrahur vendimin e Ozilit për të luftuar racizmin në Gjermani, duke i bërë thirrje ta luftojë njëkohësisht edhe Recep Tayyip Erdoganin në Turqi.

Në fundjavën e kaluar, Ozili e publikoi një komunikatë trefaqëshe në Twitter, ku e arsyetoi pensionimin e tij nga Kombëtarja e Gjermanisë. Në atë letër, ai i akuzon drejtuesit e Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe mediat gjermane për racizëm dhe mungesë respekti pas publikimit të një fotografie të tij bashkë me presidentin e Turqisë, Erdoganin, transmeton Gazeta Express.

“Unë të përgëzoj. Ti je sjellë në mënyrë të ndershme dhe e ke larguar maskën pas të cilës fshihej racizmi”, shkruan Erdem.“Trajtimi që ta kanë bërë politikanët dyfytyrësh të Gjermanisë për një fotografi me Erdoganin dhe vetëm pse je mysliman duhet të luftohen”.

“Megjithatë, Erdogani – me të cilin ti je fotografuar – duke i quajtur vendet tradicionale të alevitëve (minoritetit mysliman të sektit shiit) si vende të zhurmshme ku pihet alkooli, është treguar po aq racist e edhe kjo duhet të luftohet. Nëse i luftojmë fashistët gjermanë pa e parë këtë, ose e luftojmë Erdoganin pa i parë fashistët gjermanë, atëherë jemi të paqëndrueshëm”, shkruan Erdem.

“Racizmi dhe politikat mbi identitetin janë gjëra të këqija. Nganjëherë ato shfaqen te një gjerman, e nganjëherë te një president me mustaqe si bajame”. Anëtari i Partisë Republikane të Popullit, Eren Erdem, u arrestua më 29 qershor për shkak të akuzave për terrorizëm dhe është në pritje të vendimit të gjykatës. Ai akuzohet se ka ndihmuar organizatat terroriste, por pa qenë pjesë e tyre, dhe se i ka bërë publik emrat e dëshmitarëve sekretë./GE/