[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Palmer: Kosova e Serbia t’i caktojnë parametrat e dialogut që duhet të rezultojë me njohje reciproke



Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, thotë se i takon Kosovës dhe Serbisë që të përshtatin parametrat mbi të cilët dialogojnë, kur është pyetur nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjashtojnë shkëmbimin e territoreve si zgjidhje, raporton euobserver.

“U takon palëve që të përcaktojnë parametrat e dialogut”, ka thënë Palmer për euobserver gjatë të hënës (17 shkurt në Bruksel), teksa është pyetur për planin e shumë diskutuar e kundërshtuar të korrigjimit të kufijve.

Palmer tutje thotë se SHBA, mbështet Kosovën dhe Serbinë për të gjetur një mënyrë të rikthimit në dialog ku do të diskutoheshin të gjitha shqetësimit dhe do të gjendej një rrugë drejt normalizimit të raporteve, që sipas tij do të kishte njohjen reciproke në qendër.

“Ajo çfarë ne mbështesim është që palët të gjejnë një mënyrë për t’u rikthyer në tavolinën e negociatave, duke i vendosur shqetësimet për të gjitha çështjet në tavolinë, dhe për të gjetur një shteg përpara drejt normalizimit të raporteve të tyre, që në mënyrë ideale do të kishte njohjen reciproke në qendër”, ka shtuar ndër të tjera Matthew Palmer.

Ai ka thënë se SHBA-të dëshirojnë të shohin njohjen reciproke Kosovë-Serbi si rezultat të procesit të negociatave.

“Ne do të donim të shihnim njohjen reciproke në mes të Serbisë dhe Kosovës si rezultat të procesit”, ka potencuar ndër të tjera Palmer.

Ndërkohë tutje ai nuk ka pranuar të flas i pyetur nëse qëndrimi i SHBA-së për korrigjim të kufijve është në kundërshtim me qëndrimin gjerman, të cilët frikësohen se një lëvizje e tillë do të destabilizonte rajonin.

Menu Title