.
×

Pahor: Të ratifikohet Demarkacioni!



 

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ai po ashtu ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë në kuadër të dialogut të Brukselit. Këto deklarata presidenti slloven i ka dhënë pas takimit që ka zhvilluar me homologun e tij kosovar Hashim Thaçin në Prishtinë.

“Në mënyrë aktive kërkojmë që çështjet për problemet dypalëshe dhe zgjidhjet të respektohen dhe në këtë mënyrë përgjigjemi në dilemën që lind në draftin për zgjerimin e BE-së. Ne kemi qëndrim ndryshe lidhur me këtë çështje e mendoj që situata në BE është e mirë. Ne presim që Kosova ta ratifikojë Marrëveshjen me Malin e Zi dhe ta respektojë marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës dhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është më i lehtë dhe më i suksesshëm”, është shprehur Pahor.

Ai ka thënë se ndihet i nderuar që për këtë çështje të martën (sot) do të mundë t’u drejtohet deputetëve të Kosovës në një seancë solemne, shkruan tutje “Zëri”.
Presidenti slloven Borut Pahor më tej ka thënë se shteti i tij do ta vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën, në mënyrë që të kontribuojnë në paqe dhe në siguri në rajon.

“Dua t’i lus përfaqësuesit e medieve që nëse është e mundshme t’ua kalojnë urimet e mia më të mira shtetaseve të Kosovës për 10-vjetorin e Pavarësisë, ky është takimi i miqve, unë e presidenti Thaçi jemi miq dhe shtetet tona janë mike. Do ta vazhdojmë bashkëpunim më tutje, do të kujdesemi që së bashku të bëjmë gjithçka çka është në forcën tonë që të kontribuojmë në paqe, në siguri për këtë rajon”, ka deklaruar Pahor, duke thënë se Sllovenia është investitor i rëndësishëm në Kosovë.

Kurse kreu i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen e saj në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Thaçi ka thënë se Kosova është njohur nga 115 shtete dhe se është anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare.

Ndërsa ka ritheksuar synimet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO