.
×

Pacolli: Nuk ka krizë humanitare, “playbacku i Millosheviçit është i njohur për Kosovën”



Botapress 25 Qershor – Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, duke demantuar mediat e Serbisë dhe autoritete e këtij shteti, se po mundohen të inskenojnë krizë humanitare në Kosovë, ka pohuar se “nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999, kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë”.

“Unë i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë”, ka theksuar Pacolli.

Postimi i Pacollit në Facebook:

Qeveria serbe, mediat e kontrolluara në Serbi dhe politikanët kukulla të Beogradit në veri kanë filluar një fushatë lajmesh të rreme për të krijuar histeri kinse që ekziston një krizë humanitare në veri. Playbacku i Millosheviçit tani i dirigjuar, është i njohur për Kosovën. Ne do të kundërshtojmë këtë propagandë që ka për qëllim krijimin e tensioneve dhe incidenteve në Kosovën veriore.

Nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999 kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë. Kosova do të kujdeset për të gjithë qytetarët e saj. Në Kosovën veriore ka mjaft produkte dhe medikamente. Unë i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë.