.
×

Osmani: Zëri i të rinjve do të dëgjohet më shumë pas 6 tetorit



Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e Prishtinës, ka thënë të dielën, se pas 6 tetorit, me fitores e LDK-së në zgjedhje do të dëgjohet shumë më tepër zëri i të rinjve.

“Të rinjtë tanë në perëndim kanë dëshmuar se në kushte të barabarta asnjëherë nuk mungon suksesi. Për mua, ekipin që drejtoi dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, kjo nuk është vetëm një garë politike, por një momentum historik që do të përcaktojë të ardhmen e të rinjve tanë për 20 vitet e ardhshme”, tha Osmani.

Sa i përket pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, Osmani premtoi se e konsideron të pamundshëm që të krijojë dhe as të zbatoj një plan qeverisës pa pjesëmarrjen e rinisë.

“Qeverinë dhe qeverisjen unë nuk e shoh si vend akomodimi, por si vend shërbimi. Zëri i të rinjve do të dëgjohet shumë më tepër pas 6 tetorit me fitoren tonë në zgjedhje. Të rinjtë janë potenciali më i madh që ka Kosova dhe është e pamundur që të ecim përpara si shoqëri pa aktivimin e këtij resursi jetik për vendin”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.