.
×

Osmani: Mitrovica ka vendosur kush do të jetë kryeministrja e Kosovës



Gjatë një tubimi masiv në Mitrovicë, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, tha të dielën se përkrahja qytetare që po merr projekti i saj qeverisës në gjithë Kosovës dhe prezenca e kaq shumë përkrahësve në Mitrovicë është dëshmia më e mirë se kush do të jetë kryeministrja e re e Kosovës.

“Prezenca juaj kaq e madhe tregon se Mitrovica ka vendosur kush do të jetë kryeministrja e Kosovës. Me përkrahjen e tuaj dhe gjithë qytetarëve të Kosovës unë do ta udhëheqë me nderë dhe përkushtim qeverinë e re”, tha Osmani.

Ajo tha se Mitrovica ka përjetuar më shumë se çdokush tjetër në Kosovë. “Në Mitrovicë e kemi plagën e hapur. Do të kërkojnë besimin tuaj për ta mbyllur plagën e Mitrovicës. Unë do ta udhëheqë një qeveri me Mitrovicën dhe veriun e saj të pandashëm. Unë nuk do të ikë nga përgjegjësitë për ta mbrojtur Mitrovicë dhe veriun e vendit në bisedime”, pohoi Osmani.

Ajo tha se idetë ruso-serbe për ndarje e Kosovës dhe logjika e tregtarëve të territoreve do të marrin fund me fitoren e LDK-së. “Mitrovica dhe gjithë veriu do të mbetet brenda territorit të shtetit tonë. Një veri dhe Mitrovicë e zhvilluar. Mjaftë më Mitrovica është lënë në harresë. Mitrovicës do t’i kthehet nami dhe shkëlqimi që kishte dikur”, tha para përkrahësve të saj, nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja për kryeministre.

Ajo iu ka përkujtuar qytetarëve të Mitrovicës se kush ishin ata që iu dolën mbi urën e Ibrit dhe i penguan që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa sot po garojnë për kryeministër.

“Ata po kërkojnë votën tuaj për ta ndarë veriun dhe Mitrovicën. Vetëm LDK-ja e mban Kosovën dhe Mitrovicën e bashkuar në gjithë kufijtë e saj”, pohoi Osmani.

Sipas saj, këto zgjedhje janë referendum kundër krimit e korrupsionit, sepse ata që vijnë me parulla kundër korrupsionit, i njohim mirë mitrovicasit dhe i njohim gjatë.

Osmani i paralajmëroi qytetarët për konkurset mashtruese në Trepçë dhe ndërmarrje tjera, të cilat kanë për qëllim që të manipulojnë vullnetin e qytetarëve.

“Por asnjë mitrovicas dhe qytetar tjetër i Kosovës nuk e shet fatin e fëmijëve të tij”, ka thënë Osmani.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se pushtetarët e deridjeshëm kanë rrënuar çdo urë bashkëpunimi dhe të tillët nuk do të tolerohen pas 6 tetorit.

“Mitrovica është e vërtetë që i ka dy kandidatura për kryeministër. Por tashmë dihet se Vjosa do të jetë kryeministre, e ai tjetri do të përfundojë në opozitë. Do të jetë një opozitë e vogël dhe do të qëndroj gjatë aty”, ka thënë Haziri.

Gjatë këtij tubimi elektoral ka folur edhe kryetari i Degës së LDK-së, Safet Kamberi, i cili ka thënë se Mitrovica nuk i duron më padrejtësitë.

“Këtyre ditëve keni parë shumë konkurse nëpër ndërmarrjet e kapura nga pushteti të cilat shfrytëzohen jo për zhvillim ekonomik por për rrënim. Kanë hapur konkurse në Trepçë, në Universitet, në KEK e kudo tjetër. Këta mashtrues nuk po lënë mjet pa përdor për të mbajtur pushtetin. E kanë të kotë sepse ky popull nuk i duron më. Pas 6 tetorit njerëzit e dijshëm dhe të pastër do të jenë në qeveri, ndërsa hajnat e matrapazët do të shkojnë në burg”, ka thënë Kamberi.