.
×

Osmani; Blloku LVAN sot do të vendosë se a do t’i drejtohet Kushtetueses për interpretim të pikës 127



Pas refuzimit të presidentes Atifete Jahjaga që kërkesën e minoriteteve t’ia drejtojë Gjykatës Kushtetuese për t’i kërkuar sqarim për pikën 127, këtë gjë mund ta bëjë edhe vet blloku LVAN.

 Prsithinë 22 tetor

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se LDK-VV-AAK-Nisma (LVAN) do të marrë vendim gjatë ditës së sotme nëse do t’i drejtohet Kushtetueses me kërkesë për sqarim të pikës 127, por jo vetëm kaq.

Osmani ka thënë se nëse ata vendosin t’i drejtohen Kushtetueses, do të kërkojnë nga ajo (gjykata) që të jap sqarim se si të zbatohet në tërësi aktgjykimi i saj, pasi që sipas saj asnjë partie nuk mund t’i jepet kohë e palimituar për të propozuar kryeparlamentarin.

“Këtë kërkesë e kemi bërë edhe ne si parti të koalicionit të madh, por edhe pakicat me kërkesën e djeshme. Nëse përfundimisht presidentja refuzon të bëjë këtë atëherë ne do të shqyrtojmë gjatë ditës (sot, e mërkurë) dhe përfundimisht do të vendoset këtë ditë nëse do t’i drejtohemi Kushtetueses”.

“Pra çdo kërkesë për sqarim nuk ka të bëjë vetëm për një pikë të caktuar, por ka të bëjë se si do të zbatohet aktgjykimi në tërësi në rrethanat e krijuara, pasi në këto rrethana nuk po mund të zbatohet aktgjykimi”, ka thënë Osmani.

Një ditë më parë është bërë e ditur se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë rreth pikës 127 të aktgjykimit rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

“Duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dy vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin e Presidentes si faktor i unitetit të popullit, vlerësohet kërkesa e deputetëve, por zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit kushtetues”.

“Zgjidhja për nyjën institucionale është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur me votën e qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në respektim të Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Jahjagës.