.
×

Orët e fundit të Hashim Thaçit në Kryeministri



Hashim Thaçit i kanë mbetur edhe pak orë në Zyrën e Kryeministrit, aty ku qëndroi për shtatë vite. Sot, në orën 14, lideri i LDK’së, Isa Mustafa po ngjitet në pozitën më të rëndësishme të Shtetit, aty ku ekzekutohen vendimet më të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe për Shtetin, i cili edhe tre muaj kremton shtatë vjetorin e lindjes.

Por si do të mbahet mend Hashim Thaçi në krye të Qeverisë?

Thaçi do të njihet përgjithmonë si njeriu që e shpalli pavarësinë e Kosovës.

E, PDK dhe Hashim Thaçi do të mbahen mend edhe për ndërtimin e autostradave, rritjen e pagave për administratën publike dhe për dialogun me Beogradin.

Premtimet e fundit të Kryetarit të PDK’së kanë qenë në punësimin e 200 mijë njerëzve dhe rritjen e pagave qind për qind për katër vite.

Mirëpo, tash, pasi Isa Mustafa është votuar për Kryeministër të Republikës për katër vitet e ardhshme, është zmbrapsur nga premtime për rritje të pagave. Ka thënë se rritja e pagave do të jetë bazuar në rritjen ekonomike të Kosovës.

Thaçi, prej sodit, do të jetë Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër. Pra, do të mbajë pozitën e Ministrit të Isa Mustafës, të cilit e quante dikur Ministër të Rrahman Morinës.

Thaçi është themelues i PDK’së dhe kishte qëndruar në opozitë vetëm një mandat, kur prej vitit 2004 deri më 2007, në Qeveri ishin LDK dhe AAK. Ish-udhëheqësi politik i UÇK’së kishte themeluar edhe Qeverinë e Përkohshme 1999-2001, por nuk ishte njohur nga pjesa tjetër pasi s’kishte legjitimet të votuesve.

Në vitin 2001, PDK kishte udhëhequr Qeverinë me Bajram Rexhepin, pasi Thaçi kishte qenë i papranueshëm për Ibrahim Rugovën dhe LDK’në, në qeverinë e gjerë të asaj kohe.

Ndërsa, prej vitit 2007 deri më 2010, Thaçi ishte bërë Kryeministër në Qeveri me LDK’në dhe me Fatmir Sejdiun President.

E, prej vitit 2010 deri më 2014, Thaçi udhëhoqi Qeverinë bashkë me AKR’në dhe minoritetet.

Tash, përsëri, ai do të jetë në Qeveri, por në pozitën e dytë me shpresë se në vitin 2016 do të bëhet President i Kosovës.