.
×

Opozita refuzon ftesën për harmonizim të rezolutës



Botapress 11 Tetor – Partitë opozitare nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli për harmonizimin e rezolutës së propozuar nga koalicioni qeverisës për dialogun Kosovë – Serbi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se ftesa është joserioze dhe janë shprehur të gatshëm të ulen në bisedime me pushtetin për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërsa subjekti tjetër opozitar Partia Socialdemokrate ende nuk ka marrë një vendim për pjesëmarrje ose jo në këtë takim.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes këtij njoftimi për medie ka bërë të ditur që e vetmja formë për të cilën ky subjekt do të ulet në tavolinë të bisedimeve është takimi i datës së zgjedhjeve. “Si parti politike, më e madhja në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe qytetarëve tanë, kurse në Kuvend përmes grupit tonë parlamentar. LDK-ja është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.