.
×

Opozita mbetet me qëndrime të njëjta përkundër thirrjeve për dialog



Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për ndaljen e dhunës nga ana e opozitës në Kosovë, kjo e fundit nuk jep ndonjë shenjë se do ta bëjë një gjë të tillë.

Ahmet Isufi nga AAK, thotë se opozita është ajo që po kërkon jo dhunë, sepse sipas tij “falja e territorit të Kosovës është dhunë”.

Ai thotë se opozita nuk do ta ndryshojë kursin karshi kësaj çështje.

“Veprimet të cilat kanë ndodhur në parlamentin e Kosovës por edhe në qendër të qytetit, nuk janë më të pëlqyeshmet por janë të domosdoshme. Thirrja për mosdhunë është nga opozita sepse falja e territorit është dhunë. Ne nuk do ta ndryshojmë kursin tonë për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit”, ka thënë Isufi për RTK’në.

Edhe analisti Dukagjin Gorani thotë se nuk ka shenja që opozita do ta ndryshojë kursin gjatë gjithë vitit.

“Mendoj që kundërshtimi i saj do të jetë pjesë e kursit politik gjatë këtij viti”, thotë Gorani.

Ndërkaq Adriatik Kelmendi, thotë se opozita ka realizuar synimet e saj.

“Besoj se tashmë ka ardhë momenti kur edhe opozita ka arritur qëllimet e tyre kur kanë thënë se nuk po dëgjohen. Besoj se më nuk ka hapësirë për qasje të tillë jokonvencionale”, tha Kelmendi për RTK’në