.
×

Oda Amerikane: Momenti i fundit që të luftohet korrupsionit‏



Oda Amerikane ka reaguar pas publikimit të indeksit të perceptimit të Korrupsionit nga organizata ‘Transparency International’, duke thënë se korrupsioni është burim i pasigurisë për biznese të huaja serioze dhe rrit edhe më tutje rrezikun e investimit në Kosovë.

OAK i ka bërë thirrje qeverisë së re që të angazhohet në luftën kundër korrupsionit dhe sjelljeve të ngjashme në sektorin publik, dhe më tutje të fuqizojë punën drejt përmirësimit të sundimit të ligjit.

Sipas një komunikate të OAK-ut, perceptimi i lartë i korrupsionit jo vetëm se e ulë besimin e qytetarëve dhe bizneseve drejt qeverisë dhe institucioneve publike, mirëpo edhe krijon një reputacion negativ të vendit, dhe i pengon edhe më shumë përpjekjet tona të përgjithshme drejt tërheqjes së Investimeve të huaja direkte në vend.

“Lehtësimi i burokracisë në aspektin e të bërit biznes duhet të shkojë përkitazi me përmirësimet në luftën kundër korrupsionit me qëllim që të arrihet synimi për rritje të investimeve të huaja. Ky fenomen është burim i pasigurisë për biznese të huaja serioze dhe kështu rrit edhe më tutje rrezikun e investimit në Kosovë. Oda Amerikane beson fuqishëm se tani është momenti i fundit kur Kosova duhet të marrë një qëndrim të fortë kundër korrupsionit. Qeveria e re duhet të vendosë luftimin e korrupsionit si prioritetin më të lartë në vend, duke i përcjellë vërejtjet dhe deklaratat publike me hapa konkretë dhe masa që do të kenë efekte të qëndrueshme në shoqëri dhe në ekonomi. Emërtimet në ministri dhe pozita të rëndësishme publike duhet të bëhen në bazë të meritës dhe kualifikimeve, dhe jo bazuar në përkatësitë politike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur flasim për agjencitë e pavarura dhe rregullatorët, në të cilat raste përfshirja e politikës duhet të jetë minimale”, thuhet në komunikatë.

Më tutje, Oda Amerikane beson se zhvillimet në sistemin gjyqësor duhen vazhduar me qëllim të zbatimit të ligjeve dhe përmbarimit të kontratave.

Sipas OAK, një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është parakusht për një shoqëri të shëndoshë dhe përparimtare.

Oda Amerikane i ka bërë thirrje qeverisë së re që të angazhohet në luftën kundër korrupsionit dhe sjelljeve të ngjashme në sektorin publik, dhe më tutje të fuqizojë punën drejt përmirësimit të sundimit të ligjit. Oda Amerikane gjithashtu beson se këto dy elemente janë parakushte për përmirësimin e reputacionit të Kosovës në sytë e investitorëve të huaj dhe përshpejtimin e përpjekjet tona drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian