[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

OBSH: Transmetimi i virusit përmes ajrit ka qenë gjithmonë një shqetësim



 Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë të premten se transmetimi i koronavirusit përmes ajrit ka qenë gjithmonë një shqetësim, megjithëse përhapja përmes spërklave të personit të infektuar duket se është rruga më e zakonshme e infektimit.

“Infektimi përmes ajrit është një nga mënyrat e transmetimit për të cilën jemi shqetësuar që nga fillimi, veçanërisht në mjediset e kujdesit shëndetësor, ku e dimë se virusi mund të qëndrojë në ajër më gjatë”, tha Maria Van Kerkhove, zyrtare e OBSH-së, në një konferencë për media në Gjenevë.

Të enjten, OBSH-ja tha se ka prova të reja që sugjerojnë se koronavirusi mund të përhapet nga grimca të vogla të mbetura në ajër.

Transmetimi përmes ajrit nuk mund të përjashtohet në ambiente të mbushura me njerëz, të mbyllura ose të ajrosura dobët, tha Benedetta Allegranzi, udhëheqëse teknike për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, pranë OBSH-së.

Një letër e hapur e më shumë se 200 shkencëtarëve ka akuzuar ditë më parë OBSH-në për nënvlerësimin e mundësisë së transmetimit të koronavirusit përmes ajrit.

“Kemi dashur që OBSH-ja t’i pranojë provat”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters Jose Jimenez, një kimist në Universitetin e Kolorados, që nënshkroi letrën.

OBSH-ja, deri më tash, ka thënë se virusi transmetohet nga spërkatjet kur njerëzit kolliten ose teshtijnë.

Koronavirusi ka prekur mbi 12.2 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 555,000 kanë vdekur dhe mbi 6.7 milionë janë shëruar.

Menu Title