.
×

OAK: Klima e të bërit biznes në Kosovë e pafavorshme



“Klima e të bërit biznes në Kosovë nuk ka përmirësime dhe është e pafavorshme krahasuar me vendet e rajonit”. Kështu u tha në takimin e Odës së Afarizmit të Kosovës, në bashkëpunim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të bizneseve kosovare.

Skënder Krasniqi, kryetar i bordit të OAK-ut, tha se nga bizneset kërkojnë që ta paraqesin gjendjen reale të të bërit biznes, ndërsa nga institucionet të ofrohet mundësi e duhur për zhvillimin e veprimtarive biznesore.

“Mungesa e ofertave për biznes është problematike. Në Kosovë ka oferta për investime vetëm me  10 milionë euro ose më tepër. Më pas mos harmonizimi i ligjeve në Kosovë, ligjet janë në përputhje me BE-në, por jo çdo gjë mund të vlejë në vende të ndryshme. Ligjet te ne janë copy-paste, dhe kundër njëra tjetrës”, theksoi ai.

Sipas Krasniqit, ligjet e rëndësishme si ai për bujqësi dhe ai për miniera ka 10 vite që diskutohen në Kuvend të Kosovës dhe barten nga një qeveri në tjetrën pas zgjedhjeve.

“Oda e Afarizmit të Kosovës ka pranuar ankesa për lëvizje të shumta të çmimeve në treg”, shtoi ai.

Ndërsa Valon Prestreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se si institucion i pavarur kanë trajtuar lëndë të ndjeshme në treg, por se roli i tyre nuk është politik bërës.

“Fushë veprimtaria jonë bazohet në tri shtylla të konkurrencës: kartelet, abuzimi me pozitën dominuese dhe përqendrimet. Ne veprojmë në rastet kur ka ikje të çmimeve nga ato realet për të hyrë në treg, ne i quajmë çmime grabitqare, kur ka ulje drastike të çmimeve në treg”, shtoi ai.

Kurse, Elhami Haziri nga Shoqata e Operatorëve Kabllor të Kosovës, tha se vazhdimisht hasin në probleme të ndryshme të operatorëve që operojnë në treg.

“Abuzimi me pozitën në treg, prishja e tregut, çmimet e ulëta, këto probleme operatorët i shfaqin të shoqata jonë. Secili operator do të duhet të tregojë problemet e veta, nga terreni”, përfundoi ai.

Se gjendja e bizneseve në treg ka probleme e tha edhe librari Naser Bytyqi, i cili u ankua se me shpërndarjen falas të librave nëpër shkollat e Kosovës, ata kanë mbetur pa punë.

“Qeveria mundet me i ndihmu nevojtarët, por nuk është në rregull t’i jepen libra milionerëve. Qeveria po e bën edhe përndarjen e librave, përderisa në vendet e tjera nga kjo punë përfitojnë librarët dhe kështu duhet të funksionojë. Është krijuar monopol i vrazhdë”, theksoi ai./Bp/