.
×

NYT: Kosova e shënon fitoren e parë olimpike, por paqartësitë mbesin



Jo gjithçka rreth vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për pranimin e Kosovës është e qartë pasi ka ende gjëra që nuk janë sqaruar në tërësi, vlerëson gazeta amerikane, The New York Times.

Sipas kësaj gazete, “logjistika dhe politikat e përgatitjes së sportistëve kosovarë për lojërat Olimpike të vitit 2016 mbesin vështirë të negociueshme. Është ende e paqartë nëse sportistët do të lejohen të garojnë në kategori ku federatat e tyre individuale ende nuk e kanë pranuar Kosovën”.

“Diskutimet me federatat relevante ndërkombëtare do të mbahen një nga një”, i ka thënë NYT Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Kur ky Komiteti është pyetur se çfarë do të ndodhë nëse një federatë sportive refuzon ta pranojë Kosovën, një zëdhënëse e KON-it ka thënë se organizata nuk mund të “spekulojë për skenare hipotetike”.

Sidoqoftë gazeta amerikane, The New York Times shkruan pa vendimin për pranim në KON, sportistët kosovarë e kanë pasur të ndaluar të garojnë me flamurin e shtetit të tyre në ngjarje elitare sportive siç është Olimpiada, transmeton Indeksonline.

Një nga të paktët nga Kosova që kanë depertuar në ngjarje të tilla është kampionia e dyfishtë e xhudos në botë, Majlinda Kelmendi e cila ka marrë pjesë në Olimpiadën që është mbajtur në Londër në vitin 2012, por duke garuar si pjesë e ekipit nga Shqipëria, transmeton Indeksonline.

NYT vlerëson se tash Kelmendi është një nga favoritet për medalje të artë në Lojërat Olimpike që do të mbahen më 2016 në Rio Di Zhaniero.

Mirëpo siç vlerëson gazeta amerikane, deri në pranimin e Kosovës në KON, Kelmendi megjithëse ishte kampione botërore, është ndjerë si e lënë anash.

“Më shumë se çdo sportist tjetër, e kam pasur ndjesinë si e të qenit e injoruar apo duke mos qenë e njejtë si sportistët e tjerë në botë”, i ka thënë Kelmendi gazetaës amerikane, transmeton Indeksonline.

Artikulli më pas fokusohet te trajneri i Majlindës dhe ekipit kombëtar të Kosovës në xhudo, Driton Kuka i cili edhe vet ka qenë xhudist i mirë, porse për arsye politike asnjëherë nuk ka pasur mundësi të garojë nëpër ngjarje sportive ndërkombëtare.

“Kur e shoh Majlindën nëpër gara, e shoh vetën, për të vazhduar atë që e kisha ndaluar për shkak të politikës dhe luftës”, i ka thënë Kuka NYT, transmeton Indeksonline.

“Nëse e fitojmë një medalje ari, dhe nëse të nesërmen unë vdes, kjo do të ishte në rregull, pasi ky është qëllimi i jetës time”, ka thënë më tej trajneri i Majlinda Kelmendit.

Situata është më e rëndë me sportet e tjera kosovare, për shembull notin.

Babai i kampiones së Kosovës në not, Rita Zeqiri ka shpenzuar paratë e tij që t’ia ndërtoj vajzës një pishinë të mbuluar që ajo të ketë mundësi të ushtrojë.

Ndërkaq, Lum Zhaveli, kampioni i Kosovës në not e ka humbur një vit të plotë të stërvitjes pasi mushkëritë e tij u infektuan si pasojë e ajrit të ndotur në një pishinë të mbajtur keq në Prishtinë, shkruan më tej NYT.

Mirëpo pavarësisht se a lejohen të garojnë të gjithë apo jo, pavarësisht kushteve shumë të rënda në të cilat ushtrojnë sportistët kosovarë, ata kanë filluar ta shijojnë sado pak mundësinë e ëndrrës olimpike, shkruan më tej NYT.

“Jam duke ushtruar sa më shumë që mundëm”, i ka thënë gazetës amerikane, Fatom Tolaj, pjesëtar i ekipit të boksit të Prishtinës.

“Shpresoj të shkoj në Rio. Do të ishte një ëndërr. Pse jo? Për çdo sportist është ëndërr të shkoj në Olimpiadë”, thotë Tolaj.