.
×

Njohësit e sigurisë: Kosova edhe këtë vit dështon të anëtarësohet në INTERPOL



Ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të tërhiqet apo do të vazhdojë të insistojë që votimi për anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, që mbahet në gjysmën e tetorit të këtij viti në Kili. Njohësit e çështjeve të sigurisë po e vlerësojnë si të dështuar përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Ndërkohë në Qeveri po deklarohen se do përpiqen edhe një herë ta anëtarësojnë vendin në këtë organizatë.

Në janar të këtij viti, Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për t’u anëtarësuar në INTERPOL dhe kjo kërkesë është pranuar nga kjo organizatë, që të procedohet për t’u futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila sivjet do të mbahet në Kili pas më pak se një muaji, pra në tetor të këtij viti.

Rreth tetë herë, institucionet e Kosovës kanë dështuar që të kalojnë me sukses fazën e anëtarësimit në Organizatën me të madhe Ndërkombëtare të Policisë në botë pra në INPERPOL. Që nga viti 2008 vendi bën përpjekje për anëtarësim.

Njejtë pritet që të veprojë edhe sivjet, duke bërë kështu përpjekjen e nëntë për anëtarësim. Por gjasat që vendi të futet në agjendë, janë të vogla.

Kështu po deklaron, Behar Selimi, ish-drejtor i policisë së Kosovës, tash Behar eksperti i çështjeve të sigurisë.

Ai thotë se edhe këtë vit sipas të gjitha gjasave aplikimi do të dështojë.

“Unë në bazë të analizave dhe punëve që po bëhen rreth procesit mund të ju them se edhe ky vit, do të jetë vit i humbur për anëtarësim në Interpol”, thotë Selimi.

Megjithatë, ai deklaron se Kosova është e përgatitur profesionalisht për anëtarësimin jo vetëm në INTERPOL, por edhe në organizata të tjera më të mëdha të sigurisë në botë.

“Unë mendoj se organizata jonë policore i ka përmbushur kriteret shumë vite më parë dhe është shumë më kompetente se gjysma e organizatave policore të shteteve anëtare të Interpolit.  Në këtë fushë nuk na mungon kompetenca as profesionale as organizative, edhe për INTERPOL edhe për organizatat tjera, duhet të kenë parasysh”, deklaron ai.

Por nga Qeveria e Kosovës e cila po merret me lobimin e vendit për anëtarësim në këtë Organizatë Ndërkombëtare të Sigurisë në vend. Pak dinë rreth procesit të Kosovës për anëtarësimin e mundëm në Interpol.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka deklaruar për Express se Kosova ka parashtruar kërkesën për futje  në agjendë për këtë vit. Ai thotë se janë duke u koordinuar me akterët ndërkombëtar rreth kësaj çështjeje. Por për procesin tjetër, pra atë të lobimit, Mustafa i tha Expressit se duhet pyetur zyrtarët e Ministrisë Punëve të Jashtme.

“Unë mund të ju konfirmojë se ne jemi duke u konsultuar me akterët ndërkombëtarë rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Po presim tash te shohim procesin se si shkon”, thotë Mustafa.

Pyetur rreth lobimit për mos-anëtarësim të Kosovës në Interpol nga ana e zyrtarëve serb, Mustafa është shprehur nuk merren me deklaratat e tilla.

“Ne nuk merremi me deklaratat e zyrtarëve serb rreth anëtarësimit tonë në Interpol. Ata ia kanë frikën anëtarësimit të Kosovës aty”, deklaron Mustafa.

E nga Ministria e Punëve të Jashtme, u tha se janë duke e monitoruar situatën. Kështu ka deklaruar zëvendës ministri në MPJ, Anton Berisha.

“Aplikimi ka nisë në muajin e parë të këtij viti. Ky është një proces të cilit i jemi nënshtruar dhe po e presim që të vijojë. Tash jemi në një tranzicion të Qeverisë se di se si do të shkojë i gjithë procesi”, ka thënë Anton Berisha

Kujtojmë se Kosova këtë vit po e bën përpjekjen e nëntë për anëtarësim në Interpol. Ndërkaq Angola do të jetë vendi raportues, i cili do të merret me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Të dyja këto vende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

E tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.