.
×

Njeriu i Putinit në Beograd: Mbështesim një kompromis dhe një zgjidhje kreative mes Kosovës e Serbisë



Ambasadori i ri i Rusisë në Beograd, Alexander Kharchenko, ka thënë se shteti i tij e mbështet arritjen e një kompromisi dhe gjetjen e një zgjidhje kreative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto deklarata Kharachenko i ka bërë në një intervistë për tanjug, duke thënë se detyrën e tij si ambasador në Begorad e ka marrë për t’i kontribuar stabilitetit të rajonit.

“Sa i përket rajonit, dhe eksperiencës paraprake në negociatat ndërkombëtarë të Dejtonit dhe për negociatat e statusit të Kosovës, unë mendoj se puna ime është që t’i kontribuojë stabilitetit të rajonit”, ka thënë Kharchenko, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij zgjidhja e vetme duhet të bazohet vetëm mbi një kompromis, duke thënë se partnerët Perëndimor duhet të ndryshojnë qëndrimet e tyre.

“Një zgjidhje duhet të bazohet vetëm mbi një kompromis, dhe partnerët tanë perëndimor duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Zhvillimet e fundit në Kosovë janë një provë që situata në Kosovë her pas here është në prag të tensioneve. Unë po flas në një mënyrë shumë diplomatike, por situata është shumë shqetësuese. Unë po e them këtë bazuar në eksperiencat e mëparshme që kam pasur” ka thënë ambasadori rus.

Ndër të tjera Kharchenko ka folur edhe për marrëveshjet e Brukselit të arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke përmendur këtu mos themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ai thotë se Perëndimi dhe BE-ja nuk kanë bërë presion aq sa duhet ndaj Prishtinë, duke përmendur këtu edhe krijimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

I pyetur se a është e mundur që të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kharchenko thotë që nëse të dy palët kërkojnë kompromis dhe llogaritin në interesin e njëri tjetrit, atëherë një gjë e tillë është e mundur.

“Sigurisht që është e mundur, pse jo? Nëse secila palë kërkon kompromis dhe merr në konsideratë interesin e palës tjetër, dhe ka besim mes ndërmjetësuesve dhe negociatorëvë ndërkombëtar, bazuar në ligjin ndërkombëtar “, ka shtuar ndër të tjera Kharchenko.