.
×

Një polic humbi jetë, tjetri i lënduar rëndë, detaje të reja nga shpërthimi i mbrëmshëm në Zhur



Një pjesëtar i policisë së Kosovës ka mbetur i vrarë, ndërsa dy të tjerë, bashkë me një fëmijë, kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Zhur të Prizrenit.

Zyrtari policor, Sami Thaçi humbi jetën në krye të detyrës, gjatë një bastisjeje që po bëhej në një shtëpi nga Njësia e specializuar e Antidrogës, ndërsa edhe katër policë të tjerë janë dërguar për në Spitalin e Prizrenit për ndihmë mjekësore.

Njëri nga katër policët që u pranuan në Spitalin e Prizrenit, u transferua mbrëmë për në QKUK, pasi që gjendje e tij ishte e rëndë.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani tha se polici i plagosur mbrëmë në Zhur të Prizrenit, është transferuar për kujdes intensiv.

“E kemi transferu në klinikë, është në kujdesin intensiv, pasi e kemi pranuar dhe i kemi ofruar ndihmën e nevojshme”, tha shkurt Lenjani për Telegrafin.

Polici i lënduar mbrëmë në QKUK është nisur nga Spitali i Prizrenit, me shenja të jetës, por në gjendje mjaft të rënduar.

Kështu tha Afrim Avdaj, drejtori i Spitalit të Prizrenit.

“Polici i parë i pranuar me lëndime të kokës të fytyrës dhe qafës, të krahut dhe para-krahut është dërguar në QKUK me gjendje të rënduar, me shenja vitale, por në gjendje të rënduar”, tha Avdaj.

Avdaj tha se fëmija i lënduar dhe policët tjerë të pranuar në spital për shkak të lëndimeve që kanë marrë janë jashtë rrezikut për jetë.

“Fëmija i lënduar gjatë këtij shpërthimi është pranuar në Oftalmologji dhe është jashtë rrezikut për jetë, por është hospitalizuar. Ndërsa polici i dytë është pranuar në Ortopedi dhe është jashtë rrezikut për jetën. Kemi pranuar edhe dy policë të tjerë të cilët kanë pengesa në frymëmarrje, por nuk janë në rrezik dhe nuk janë hospitalizuar”, u shpreh Avdaj.

Ngjarja tragjike, ku polici Sami Thaçi humbi jetën, ka ndodhur të martën derisa njësitë e Policisë së Kosovës ishin duke kryer një aksion bastisje në një  shtëpi në  fshatin Zhur të Prizrenit.