.
×

Një muaj nga zhdukja, nuk dihet fati i 42-vjeçarit Enver Çengaj



Myrfet Shasivari- Botapress

 

Ndonëse tanimë kaloi edhe muaji që kur u raportua të jetë zhdukur Enver Çengaj, një 42 vjeçar nga fshati Pllajnik i komunës së Dragashit dhe përkundër përpjekjeve të parreshtura të familjarëve për ta identifikuar vendodhjen eventuale, mjerisht,  ende nuk dihet gjë për fatin e tij. Bashkëshortja e Enverit para do ditësh ka njoftuar se viktima ishte larguar nga shtëpia, e cila aktualisht ndodhet në qytezën e Dragashit, që më 30 korrik, dhe se deri më tani kishte marrë vetëm një telefonatë anonime, përmes së cilës është njoftuar se burri i saj është parë në lagjen “Jaglenica” të Prizrenit. E shoqja, e cila po përkujdesët e vetme për dy fëmijë të mitur, u ka deklaruar mediave të këtushme lokale se brenga shtohet më shumë, për faktin se i shoqi është me të meta. Ajo i lutë qytetarët që e dinë rastin, që mos të bëjnë telefonata anonime. veçse, nëse e shohin diku burrin e saj, me që është me të meta,  me forcë dhe ta kthejnë në shtëpi, ose të kërkojnë ndihmën e policisë. Në anën tjetër, vëllau i Enverit, Xhevat Çengaj, tha se asnjë punë nuk po mund të bëjnë, pasi gjithë kohën po merren me kërkimin e të vallait. “Kërkimi për të na kushtoi edhe me humbjen e vëllait tjetër, të cilin para do kohësh e goditi rrufeja. Bashkë me dy vëllezërit tjerë, gjithnjë merremi me kërkimin e Enverit dhe, nuk mund ta kuptojmë se si ka mundur ai të zhduket dhe ku mund të ndodhet aktualisht. Sa herë që dikush na njofton për ndonjë gjurmë të tij, ne vrapojmë pas asaj gjurme, me shpresë se mund ta gjejmë. Por, me që kaloi një muaj, kemi filluar të dyshojmë për më të keqen, pasi ai do të paraqitej diku, nëse është i gjallë. Ai gjithashtu ka shprehë zhgënjimin e tij tek organet e rendit, duke theksuar se; “Shteti do të mund të bënte më shumë për kërkimin e Enverit. Mjafton që policia të zhvillonte një kërkim me qentë që janë për këtë punë dhe, gjallë apo vdekur, do ta gjente vëllanë”.