.
×

Nënshkruhet memorandum për ta mbështetur MIE në procesin integrues



Ministria e Integrimit Evropian dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në bashkëpunim me ekipin e agjencive të KB-së, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, për ta mbështetur këtë ministri në procesin integrues, në fusha si zbatimi i MSA-së dhe Agjenda Evropiane e Reformave.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se Ministria është e përkushtuar të punojë në reforma që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Në një moment shumë të ngjeshur për ne kemi parë të nevojshme të nënshkruajmë një memorandum për një fushë të rëndësishme për ne. Dita e sotme është e një rëndësie të veçantë sepse po vërtetohet që po na pret një punë shumë e madhe në përkrahje të implementimit të stabilizim asociimit. Ministria e integrimit është duke punuar në përmbushjen e agjendës evropiane qe e ofrojnë Kosovën afër BE-së.

Partneriteti global për zhvillim na thërret për partneritet vendor dhe ndërkombëtarë na thërret për përkrahje dhe zbatim të legjislacionit për përmirësim të jetës së qytetarëve. Edhe pse institucionet nuk bartin të gjithë përgjegjësinë ne po e bartim përgjegjësinë për sfida dhe reformat kërkojnë buxhet shtesë dhe jemi të përkushtuar që këto reforma ti qojmë përpara”, ka thënë ajo, raporton Koha Ditore.

Koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson ka thënë se përmes këtij bashkëpunimi do të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Në fakt e vlerësojmë partneritetin me Ministrin e Integrimeve dhe tani jemi duke shikuar që ta planifikojmë të ardhmen, ne po e intensifikojmë bashkëpunimin. Kur po shikojmë për integrimin evropian është e rëndësishme të shikohet progres në jetën sociale të njerëzve. Familja evropiane shikon edhe të drejtat e njeriut”, ka theksuar ajo.