[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Nënshkrimet për seancën kundër heqjes së taksës vazhdojnë, opozita nesër finalizon këtë çështje



Tashmë kur nga opozita vazhdimisht po kërkohet të mos hiqet taksa 100 për qind, e vendosur nga ish-Qeveria Haradinaj ndaj produkteve të Serbisë e Bosnjës, partitë opozitare po tregohen këmbëngulëse në kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për ta ndaluar heqjen e saj.

E nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme janë drejt arritjes së numrit të nevojshëm. Për këtë çështje, nesër do të takohen partitë opozitare.Këtë e ka konfirmuar deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila tha se nesër do të finalizohet kjo çështje ashtu si edhe ajo për Autostradën e Dukagjinit, bashkë me partitë tjera opozitare.

“Me rëndësi është se jemi bashkë si opozitë në këtë temë dhe nesër takohemi për t’i finalizuar krejt. Do të takohemi për të finalizuar cështjen e mbajtjes së seancës. Jemi në fund. Kemi bashkëpunim si opozitë me të gjithë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa ka komentuar edhe gjuajtjen me vezë të zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti, dje.Duke i quajtur të pafytyrë, Haxhiu ka thënë se është e pamoralshme të reagojnë ata që dikur vetë i kanë sjellë vezët në Kuvend e nëpër rrugë.

“Sa i përket asaj dje, pa marrë parasysh kush ka qenë, mua çka më habitë një fakt, është kur marrin guxim pafytyrësisht të dalin ata që i kanë sjellë vezët në Kuvend, rrugë, kudo madje edhe kryeministri direkt dhe deputetë, secili ministër, zyrtar është sulmu nga vet deputetë të VV dhe sot kjo është e pamoralshme”.Temat nacionale që nuk prekin sovranitetin e shtetit do ta kenë gjithmonë përkrahjen e opozitës, ka thënë Haxhiu, ashtu si edhe përkrahjen tek Kurti me këto tema.

“Uroj që të merren me tema të mëdha, për cka ne në vazhdimësi jemi shembull kontruktiv i një opozite që e kemi dëshmu edhe në të kaluarën. Do të jemi përkrahës të temave nacionale që nuk prekin sovranitetin e vendit, dinjitetin e qytetarëve, për këto tema gjithmonë do ta përkrahim edhe z. Kurti si kryeministër por jo atëherë kur ngritë dorën për t’i hapë rrugë Serbisë për të pasë pushtet brenda Kosovës. Për këtë do të na ketë gjithmonë kundër”, ka thënë ajo.

 

Menu Title