.
×

Nehat Thaçi tha se “Mehmeti dhe të tjerët tentuan të falnin namazin në gjykatë” – reagon avokati



Avokati i Shkumbin Mehmetit, Besian Syla ka reaguar lidhur me deklaratën e drejtorit të bugjeve Nehat Thaçi, i cili para disa ditëve , kishte deklaruara se Mehmeti dhe të tjerët tentuan të marrin sexhadet për tu falur në gjykatë gjatë këtij udhëtimi.

Ai i referohej ngjarjes së ditës kur dëshmitari Shkumbin Mehmeti ishte bartur me furgonin e njëjtë me të akuzuarin Bedri Krasniqi, nga burgu në Gjykatë.

Sipas avokatit Syla, deklarata e Thaçit është e pavërtetë.

“Ju njoftojmë se sa i përket të mbrojturit tim nuk qëndron ky fakt, sepse atë ditë i mbrojturi im Shkumbin Mehmeti nuk ka pasur sexhade dhe as nuk ka kërkuar që t’ia lejojnë ta marr me veti për ta falur namazin në gjykatë”.

“I njëjti deklaron se i akuzuari Bedri Krasniqi ka pasur disa polemika me zyrtarët korrektues lidhur me këtë çështje i cili ka kërkuar që t’ia lejojnë një gjë të tillë, por jo edhe ky vet (çështje kjo që mund të vërtetohet edhe nga kamerat e sigurisë)”, thuhet në reagimin e Sylës.

Por Syka thotë se i mbrojturi i tij Mehmeti, ka pasur vetëm dy kërkesa, të cilat nuk i janë plotësuar.

“Të vetmet kërkesa që i ka pasur i mbrojturi im Shkumbin Mehmeti, të cilat kanë qenë legjitime janë, t’i ofrohet ndihmë mjekësore pasi që ka pasur vjellje gjatë transportimit dhe nuk është ndjerë mirë dhe ka qenë i shqetësuar për shkak të kanosjes dhe të takohet me mua si avokat i tij mbrojtës”, ka shkruar Syla në reagimin e tij.

Avokati thotë se bartjen e klinetit të tij bashkë me të akuzuarin e konsiderojnë veprim të qëllimshëm, tendencioz dhe mjaft shqetësues.

“Për faktin se i mbrojturi im për shkak të dëshmisë së tij që ka për ta dhënë në këtë proces gjyqësor nuk ka asnjë kontakt me të burgosur të tjerë dhe mbahet i izoluar në njësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve që nga Gushti i vitit 2012 për shkak të statusit që i është dhënë në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Prokurori Special i EULEX-it në atë kohë Emma Rizzato, ndërsa në ditën kur i njëjti ftohet për ta dhënë dëshminë për të cilën edhe është mbajtur i izoluar që nga ajo kohë, i lejohet komunikimi dhe vendoset në të njëjtin mjet transportues me të akuzuarin”, thotë ai në reagm.

Kujtojmë se të enjtën dëshmitari Shkumbin Mehmeti ishte bartur me furgonin e njëjtë me të akuzuarin Bedri Krasniqi, nga burgu në Gjykatë.

Gazeta Insajderi ka raportuar lidhur me këtë skandal të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas këtij raportimi SHKK mor vendim për suspendimin e zyrtarit që kishte oragnizuar transportin, deri në përfundimin e hetimeve.