.
×

Nehat Hyseni: A është i sinqert Thaçi ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës?



 

Shkruan: Nehat Hyseni-   Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa marrë parasysh ndasitë politike, partiake e ideologjike të tyre, të gjithë janë emocionuar dhe entuziazmuar skajshmërisht me nismën e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit “për bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën”.

Si filloi kjo nismë?

Më 14 korrik të këtij viti, në Bujanoc, asambleistët shqiptarë të këtyre tri komunave në pjesën jugore të Serbisë, në mbledhjen e tyre të përbashkët miratuan Deklaratën Politike, që shërbeu si shkas që Presidenti Hashim Thaçi t’i thërrasë në zyren e tij në Prishtinë përfaqësuesit politik e institucionalë nga Lugina dhe së bashku me ata publikoi para mediave idenë, propozimin apo nismën e tij “për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, si kërkesë institucionale dhe vullnet politik i tyre i deklaruar në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”.

Kjo ide për bashkim me Kosovën për të gjithë shqiptarët e Luginës është poaq joshëse dhe e dëshiruar, sa që është për kosovarët Pavarësia dhe çlirimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1999, për të cilën gjë ata krahpërkrah me kosovarët luftuan, por nuk ia dolën që të bashkohen me Kosovën dhe ta shijojnë dhe realizojnë lirinë së bashku me kosovarët.

Edhepse shqiptarët e Luginës, të ndihmuar edhe nga kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë, i kapën sërish armët në vitin 2000-2001 në luftën e lavdishme të UÇPMB-së, megjithatë nuk ia dolën që ta realizojnë këtë ëndërr shekullore të tyre.

Prandaj, i lusim vëllazërisht të gjithë kosovarët dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, që të kenë mirëkuptim dhe që ta mbështesin pa hezitim realizimin e vullnetit politik të shqiptarve të Luginës të deklaruar në Referendumin e vitit 1992 për bashkim me Kosovën.

Partitë politike në Kosovë janë të ndara reth kësaj nisme në “për” dhe kundër.

Por, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të shqetësuar dhe pyesin:

“Vallë, sa e ka seriozisht Presidenti Thaçi këtë çështje dhe sa është i gatshëm që të investohet dhe sakrifikohet ai personalisht për këtë çështje?

Gjykuar sipas deklaratës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit në emisionin “Opinion” të Blending Fevziut, më 11 shtator 2018, se ai e paska biseduar këtë çështje me Hashim Thaçin dhe se Thaçi i paska thënë se do e hedhim këtë ide si “balon privues” kundrejt idesë së Vuçiqit për “përkufizim etnik “, që realisht paraqet pretendimin e Serbisë për ndarje të Kosovës.

Prandaj, shqiptarët e Luginës me shqetësim pyesin se me të vërtetë, sa i sinqert është Hashim Thaçi ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe ndaj kauzës për bashkimin e saj me Kosovën?

Vërejtje: Autori ishte Zëdhënës i Referendumit të vitit 1992 të shqiptarve në Luginën e Preshevës