.
×

Në Mitrovicë u përkujtua masakra e tregut



Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, në ora 14:20 minuta në tregun e gjelbër, në qendër të qytetit të Mitrovicës, ndodhi një nga masakrat më të tmerrshëm që e shkaktuan kriminelët serbë.

 

 

 

Ishte ditë tregu, kur në ditën dhe orën e lartpërmendur të vitit 1999, forcat  kriminale serbe hodhën një nag minahedhësi një granatë, e cila shpërtheu në mes të tregut, në turmën e madhe të njerëzve që kishin dalë për tu furnizua me zarzavate të ndryshme, shkruan Botapress.info

 

 

 

 

Pjesë të granatës  goditën  pamëshirshëm fëmijë, gra, pleq e të rinj që qëlluan në vendin e kobshëm. Kudo përreth shiheshin njerëz të përgjakur, pa gjymtyrë, njerëz të vdekur. Dëgjoheshin britma e vaj dhe thirrje për ndihmë, që i kishte parë më sytë e tij edhe autori i këtij shkrimi, I cili ndodhej jo larg vendit ku granata shpërtheu.

 

 

 

Për të përkujtuar dhe nderuar gjashtë martirë që humbën jetën në masakrën e tregut, në mesin e të cilëve kishte siç u tha edhe fëmijë, gra e të moshuar, si dhe për të mbështetur rreth 130 viktima të tjera, që u lënduan rëndë e lehtë, një numër i të cilëve  kanë mbetur invalid për jetë, duke humbur gjymtyrë dhe organe të tjera vitale të trupit, por që fatmirësisht u mbijetuan plagëve dhe sot janë gjallë, 19 vjet më pas, në vendin e ngjarjes ishin tubuar viktima të masakrës, familjarë të tyre, përfaqësues të Komunës dhe institucioneve të tjera,në mesin e të cilëve edhe Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës, Halit Barani, kryetar i QR të KMDLNJ në Mitrovicë, Bajram Çerkini, kryetar i OJQ “Zëri i Prindërve” etj.

 

 

 

Nënkryetari Mujka i ka garantuar të mbijetuarit e sulmit barbarë të forcave serbe, se Komuna  do të përkujdeset maksimalisht për krijimin e kushteve për një jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, por në radhë të parë për dëshmorët,martirët dhe viktimat tjera të luftës. Ai tha se 20 vjetori i kësaj masakre do të shënohet pranë një lapidari dinjitoz, të cilin do ta ndërtoj Komuna, po në këtë vend ki sot gjendet pllaka përkujtimore.

 

 

 

Të pranishëm në shënimin e këtij përvjetori, ishin edhe  Sadije Strana Muslijaj dhe Behsxhet Haziri, që nga sulmi barbarë i kriminelëve serbë, kishin mbetur pa të dyja këmbët dhe sot aty qëndronin në karrocat e tyre, pa të cilat nuk mund të dalin askund.

 

 

 

Sadija, nënë e tre djemve dhe tri vajzave, tha se edhe sot ndjehet e trishtuar, po sikur atë ditë të kobshme dhe se gjendjen e ka tejet të rëndë. “Kam dhembje të mëdha, më janë lajmëruar edhe sëmundje të tjera dhe të gjitha këto po e rëndojnë shëndetin dhe gjendjen time. Por, mbi të gjitha këtë gjendje po e rëndon edhe skamja e madhe. Nuk kam kushte të mira banimi, nuk kam para për barna që patjetër më janë të nevojshme, sepse me kompensimin që marrë si viktimë, as përafërsisht nuk mund t’i mbuloj vetëm shpenzimet e mjekut dhe për barna”, tha ajo duke qarë./Hysni Syla./Botapress/