.
×

“Në Mes” nga Samir Karahoda triumfon në Lituani



Sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius të Lituanisë në kuadër të garës së filmave të shkurtër triumfoi filmi “Në Mes” të autorit Samir Karahoda. “Ky film është si një përrallë, të gjithë na tërhoqi ndriçimi i tij, aftësia për të shtjelluar tregimin e vet dhe tërheqjen e fuqishme kinematografike” ishte motivimi i jurisë që përbëhej nga Caroline Mallevile, programere e filmit në kinematekën Franqeze, Rimante Daugelaite, drejtoreshë e ajencisë Lituaneze për Film të Shkurtër dhe regjisorit Spanjoll Xacio Bano.

Në pamundësi për të qenë prezent në ndarjen e çmimeve në Riga, Samir Karahoda u paraqit me video lidhje në Lituani dhe me këtë rast e falenderoj festivalin që e selektoj filmin dhe jurinë për këtë çmim shumë të rëndësishëm. Ai poashtu e shprehi edhe keqardhjen për mosprezencën e tij në Lituani, pasi që ky çmim ka një rëndësi të veçantë për të, pasi që është filmi debutues i tij dhe ky çmim si i pari në karierën e tij si regjisor do të ketë gjithmonë një vlerë shumë të madhe në jetën e tij.

Regjisori Karahoda e përmbylli paraqitjen e tij në Lituani duke dërguar përshëndetje me shumë dashni nga Kosova. Filmi i Karahodës, “Në Mes” me producent Eroll Bilibanin, pas premierës botërore në Festivalin prestigjioz Berlinale të Gjermanisë dhe premierës rajonale në Zagreb Dox të Kroacisë u shfaq edhe në Festivalet e kategorisë A Tampere Film Festival në Finlandë, DocuDays në Kiev të Ukrainës, dhe është duke u shfaqur në GoShort të Nijmegen të Holandës. Ky është çmimi i parë për filmin e Samir Karahodës.

Filmi “Në Mes” është prodhim autentik nga Kosova dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Bankës për Biznes, Komunës së Prizrenit dhe Prishtinës.