.
×

Në kohë fushate Haradinaj i merr në mbrojtje prokurorët



Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka ndryshuar qëndrim për prokurorët në kohë fushate. Përderisa një vit më parë prokurorin e dorëhequr Elez Blakajn e kishte quajtur hajn të pulave dhe pishpirik, tash po thotë se askush nga politika nuk ka të drejtë që t’i fyejë apo sulmojë prokurorët.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se mbështetja e ushtarëve, policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve është obligim moral, ligjor e kombëtar.

“Askush nga politika nuk ka të drejt të fyej apo sulmojë ushtarin aktiv, policin në detyrë, prokurorin dhe gjyqtarin në funksionet e tyre. Mbështetja ndaj tyre është obligim moral, ligjor e kombëtar i secilit prej nesh”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do të ketë shtim të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve.

“Deri në 2 % të BPV për mbrojtje të atdheut, +2000 policë shtesë për sigurinë në rrugë e lagjet tona, +100 prokurorë në betejën kundër krimit, +100 gjyqtarë shtesë në ndarjen e drejtësisë dhe zgjidhjen e lëndëve të panumërta që presin në radhë. Ky është zotimi im. Ja kemi borxh Kosovës, t’i mbështesim ata që ruajnë dhe mbrojnë qytetarin e shtetin”, thuhet në postimin e tij.