.
×

Në Çabër janë zgjidhur problemet infrastrukturore,por problem mbetet punësimi



Çabra, fshati i vetëm shqiptarë në komunën e Zubin Potokut, të administruar nga serbët, ka ndryshuar tërësisht pamjen pas lufte. Fshati ishte shkatërruar me themel nga serbët gjatë luftës së fundit, por fatmirësisht tashmë është ngritur si feniksi dhe i ngjason një qyteze që i ka zgjidhur pothuaj të gjitha problemet që e kanë rënduar jetën e qytetarëve aty, me përjashtim të punësimit.

 

 

 

Në fshat,i cili shtrihet buzë lumit Ibër, në kilometrin e 10-të të rrugës Mitrovicë-Zubin Potok dhe ka një pamje mahnitëse,  janë rindërtuar rreth 200 shtëpi moderne nga Fondi i Bukoshit (150), IRC (20) dhe 30 nga vet qytetarët. Është ndërtuar e tërë infrastruktura.

 

 

 

“Siç po e shihni, rrugët janë asfaltuar dhe ndriçuar, kanalizimi është ndërtuar, rrejti i rrymës elektrike trefazor, është rindërtuar i tëri, është ndërtuar ambulanca e re, objekti i bashkësisë lokale, salla e sporteve, qendra për punë sociale, shkolla ere moderne dhe çdo gjë tjetër që i duhet një mjedisi për të pas një jetë normale”, tha nënkryetari i Komunës së Zubin Potokut,që vjen nga radhët e LDK-së, Agim Hasani.

 

 

 

Sipas tij, çabrasit sot kanë vetëm një problem që megjithatë e rëndon jetën e tyre normale. e ai është punësimi, pasi që mundësitë e turinjve për punësim janë të vogla.

 

 

 

“Në të gjitha institucionet e pushtetit lokal janë të punësuar  vetëm 17 shqiptarë, pra të gjithë nga Çabra. Sikur të mund të krijonim kushte më të mira për zhvillimin e bizneseve, ekonomive familjare dhe hapjen e vendeve të tjera të punës në fusha të ndryshme, këtu do të mund të bëhej vërtetë një jetë dinjitoze, pa kurrfarë problemesh”, tha Hasani.

 

 

 

Ai bëri të ditur se edhe situata politike dhe e sigurisë në fshat, por edhe në Zubin Potok është e qetë dhe pa tensione e probleme të tjera, duke shtuar se shqiptarët tani lëvizin lirshëm deri në Zubin Potok, ku i rregullojnë dokumentet që nuk mund t’i marrin në zyrën lokale, ashtu sikur që edhe serbët nuk kanë kurrfarë telashesh gjatë lëvizjes për në Mitrovicë përmes rrugës së atyshme.

 

 

 

Njëkohësisht, Hasani tregoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën politike të komunës është normale dhe se në KK përfaqësohen nga katër këshilltarë, dy nga të cilët janë të LDK-së, një i PDK-së dhe një i Vetëvendosjes.

 

 

 

Por, megjithëkëtë, Hasni ka një brengë bukur të madhe. Thotë se ka rënë dukshëm nataliteti i shqiptarëve dhe se po zvogëlohet dukshëm edhe numri i nxënësve./Hysni Syla./Botapress/

 

 

 

“Është për keqardhje që po bie nataliteti dhe zhvendosja pa asnjë arsye e disa familjeve, që këtu i kishin kushtet shumë të mira për jetesë. Kështu,menjëherë pas lufte,në fshat kishim 225 nxënës, kurse sot janë vetëm 120 sish”, tha ndër të tjera Hasani.