.
×

Në bahçe iu rrit kungulli 412-kilogramësh, amerikani tash e përdor si barkë



Në vend se të përgatiste pite të madhe me kungull, me të cilën do të mund të ushqehej tërë lagjja, një fermer në Tennessee të Shteteve të Bashkuara vendosi që kungullin prej 412 kilogramësh ta përdorë për një qëllim tjetër, fare të pazakontë për këtë perime.

Ëndrra e fermerit Justin Ownby gjithmonë ka qenë që ta rrisë një kungull gjigant. Gjatë katër vjetëve të fundit, ai është përpjekur që ta arrijë qëllimin për rritjen e një kungulli që peshon mbi 400 kilogramë.

Këtë vit, ai arriti t’i siguronte farat e një kungulli me peshë rekorde prej 771 kilogramësh, i cili u rrit vitin e kaluar, me shpresë që ta realizojë qëllimin e tij.

“Ai e ujiste kungullin çdo ditë, e mbulonte gjatë vapës së madhe dhe sigurohej që insektet të mos mund t’i afrohen atij”, tha gruaja e fermerit.

Kur u rrit shumë, kungullin e vendosën në një rimorkio dhe me ndihmën e fqinjit e vunë mbi një peshore. Perimja peshoi plot 412 kilogramë. “Ky është kungulli më i madh që e kemi pasur. Para këtij, kungulli më i madh peshonte 100 kilogramë”, tha ai.

Për t’i zbavitur fëmijët, ai vendosi që ta bënte një vrimë në perimen gjigante dhe ta përdorte si barkë në një liqen të vogël afër shtëpisë. Fotografitë e këtij veprimi i publikoi në Facebook, duke i habitur shumë njerëz, shkruan “CNN”.