.
×

Ndryshimi i Ligjit synon pajisjen e qytetarëve me letërnjoftim që nga lindja



Botapress 15 Prill- Fëmijët nën moshën 16 vjeçare mund të bëhen me letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Kjo mund të arrihet pas miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Letërnjoftim.

Kuvendi i Kosovës gjatë seancës sot e shqyrtoi në lexim të parë  këtë projektligj, por i njëjti nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa i cili paraqiti dhe arsyetoi projektligjin në fjalë, tha  se qëllimi është pajisja me letërnjoftim të mund të bëhet në momentin e lindjes së fëmijëve.

“E që aktualisht me ligjin në fuqi bëhet për të gjithë shtetasit nga mosha 16 vjeçare. Pra pajisja me letërnjoftim për fëmijët nën moshën 16 vjeçare sipas këtij projektligji është çështje e vullnetit e jo e detyrimit”, tha ministri Mustafa.

Sipas ministrit, kjo do të mundësonte identifikimin më të lehtë të shtetasve të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili njëherësh kryetari i Komisionit funksional tha se e përkrahin në parim këtë projektligj.

“Në emër të grupit parlamentar e përkrahim në lexim të parë, dhe do të japim kontributin tonë në  grupe punuese”, tha ai.

Edhe deputetja e PSD-së, Aida Dërguti tha se në parim do ta përkrahin këtë projektligj.

Përkrahje për projektligjin shprehën edhe AAK-ja. Nisma dhe LVV-ja.

Pas kësaj pike, Kuvendi i Kosovës shkoi në pauzë deri në orën 15:30.

“Deri në 3:30 po shkojmë në pauzë.  S’po e shtyjmë (seancën). Sonte i përfundojmë deri në pikën 37 ne, Pastaj votimet shkojnë më vonë”, tha nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.