.
×

Ndodh edhe kjo në Kosovë: Prokuroria e fton një person në Pejë të japi dëshmi në vend të vëllaut të vdekur



Ish-pjesëtari i UÇK-së, Adnan Hyseni ka bërë të ditur se është intervistuar në stacionin e policisë në Pejë, lidhur me veteranët e rrejshëm konkretisht për vëllaun e tij Avni Hysenin i cili ishte pjesë e dy luftërave atë të UÇK-së dhe UÇPMB-së.

“Policia e Kosovës stacioni në Pejë dhe Prokuroria në Pejë nuk kanë asnjë faj sa i përket kësaj ftese denigruese ndaj kontributit të madh për kombin dhe atdheun nga vëllau im Avni Hyseni, por turpi qoftë mbi ata që e kanë vendos emrin e Avnisë në listë si veteran i rrejshëm duke e bërë bashkë me ata që e tradhtuan, bojkotuan por edhe e luftuan UÇK0në së bashku me armikun shekullor Serbinë”, ka shkruar Hyseni.

Avni Hyseni ka ndërruar jetë muaj më parë në moshën 38-vjeçare.

Sot Hyseni ndërkaq ka paralajmëruar se për këtë rast do të bëjë padi ndaj prokurorisë së shtetit.

Për këtë çështje, Gazeta ka kontaktuar prokurorinë e Pejës. Të njejtët kanë bërë të ditur se Hyseni ishte ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit.

“I ndjeri ka qenë i ftuar të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo jemi njoftuar nga vëllai i tij se i njejtit ka ndërruar jetë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë së Pejës.

“Prokuroria Themelore e Pejës, lidhur me dosjet e Veteranëve ka pranuar gjithsej 7813 aplikacione, të deleguara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Lidhur me procedimin e këtyre aplikacioneve, kjo prokurori ka autorizuar Njësitin e hetimeve rajonale të Policisë se Pejës dhe Njësitin kundër krimeve ekonomike, ti procedojnë disa nga aplikuesit rreth mënyrës se përfitimit të statusit të veteranit”, bëhet e ditur.