.
×

Ndërrohet komanda, ky është Komandantit i ri i KFOR-it në Kosovë



Botapress, 19 Nentor-Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it u vlerësua kontributi i këtij misioni si një forcë e besueshme për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, teksa u tha se falë bashkëpunimit të ndërsjellë u formua Ushtria e Kosovës dhe zhvillimi i saj do të bëjë që në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e NATO-s.Presidenti Hashim Thaçi, duke folur për kontributin e NATO-s në Kosovë, tha se sukseset e përbashkëta po i bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshme trupat e KFOR-it në Kosovë, ku u shpreh optimist se vendi ynë do të përfshihet nën ‘ombrellën’ e NATO-s.I pari i shtetit po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për të arritur paqe në rajon.

“Jam i lumtur të shoh që nga bashkëpunimi ynë ka lindur Ushtria e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës si një forcë profesionale, multi-etnike në shërbim të çdo qytetari të Kosovës. Zhvillimi i Ushtrisë së Kosovës, FSK-së do të thotë që në një ditë në të ardhme të afërt do të realizohet aspirata jonë e drejtë që jo vetëm NATO të jetë në Kosovë, por Kosova të jetë në NATO, që të kontribuojë për paqen me punën e vet. Kosova sot është një shoqëri multi-etnike, shtëpi e çdo qytetari të saj, e përkushtuar për të arritur paqe në dobi të qytetarëve me të gjitha vendet e rajonit dhe tërë kontinentin evropian”, tha presidenti Thaçi.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario foli për kontributin e tij që KFOR-i të njihet si një forcë e besueshme, e paanshme dhe e aftë për të dhënë siguri jo vetëm në Kosovë.“Si organizatë ushtarake kemi vazhduar që të sigurojmë se KFOR-i njihet si forcë e besueshme e paanshme dhe e aftë për të dhënë siguri. Ne, gjithashtu, kontribuuam përmes angazhimit tonë ushtri me ushtri, aktiviteti i rëndësishëm që i minimizon keqkuptimet dhe siguron hapësirë politike për zgjedhje të qëndrueshme”, tha komandanti në largim, D’Addario.

Komandantit i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi u shpreh falënderues dhe tha se shtetet aleate të NATO-s po i kontribuojnë sigurisë së tërë popullatës së Kosovës për ruajtje të stabilitetit të Kosovës, Ballkanin dhe tërë Evropës.

“Dua t’i falënderoj 20 shtetet aleate dhe 8 shtetet partnere, të cilat po i kontribuojnë sigurisë së tërë popullatës së Kosovës, për të cilën besoj fuqishëm se edhe është shtytësi kyç i stabilitetit të Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe tërë regjionin euro-atlantik. Mirëpres që së shpejti t’i takoj dhe të punojmë së bashku”, tha ai.Pas përfundimit të ceremonisë në një konferencë për media, admirali James Foggo i bëri thirrje partive fituese të zgjedhjeve që të formojnë qeverinë e re që të shtyjnë Kosovën drejt stabilitetit dhe prosperitetit, teksa tha se nuk planifikojnë për reduktim të trupave të KFOR-it në Kosovë.

“Tani e keni mundësinë që të formoni qeverinë e re. Zgjedhjet ishin të lira dhe shumë gjëra të mira kemi dëgjuar. Kështu po i them popullit të Kosovës dhe zyrtarëve të ri të zgjedhur që të shtyjnë këtë shtete në stabilitet dhe prosperitet”, tha ai.