.
×

Ndërpret shkollimin nga varfëria ekstreme



Fatlinda 15 vjeçare tashmë e ka ndërprerë shkollimin. Ajo vuan nga epilepsia dhe shpesh herë në klasë i keqësohej gjendja. Mësuesit i kanë thënë që mos të vijojë mësimet. Ajo tani merret vetëm më punët e shtëpisë. Familja e saj 10 anëtarëshe, në Vushtrri, jeton në kushte tejet të vështira. Madje ajo ka edhe vëllaun e sëmurë, që fare nuk mund të ngrihet, e të cilit i mungon njëra veshkë. Gjendja e tij po e vështirëson edhe më shumë jetën e anëtarëve të tjerë të familjes. Ai nuk është në gjendje të kryejë nevojat fiziologjike nga mungesa e veshkës.

Në familjen Salihu të gjithë janë të papunë. Gjendja e rëndë ekonomike e tyre e ka shtyrë të zotin e shtëpisë të marrë fëmijët e vegjël dhe të dalë në sheshin e Vushtrrisë, të shesin fara.

Murat Salihu rrëfen për KosovaPress gjendjen e rëndë me të cilën po përballet ai me 9 anëtarëte familjes.

Dhjetë anëtarët e familjes Salihu marrin asistencë sociale prej 100 euro. Edhe 75 të tjera merr djali i lënduar vite më parë. Këto nuk iu mjaftojnë. Shumë prej të hollave i shpenzojnë në për të blerë medikamente për fëmijët e sëmurë.

Ai thotë se komuna i ka ndihmuar vetëm pak në fillim. Tani së fundmi tregon vetëm për ndihmat ushqimore që Kryqi I Kuqua ka sjellë.

Djali, Fetah Salihu 19 vjeçar, nga Vushtrria, që jeton në varfëri ekstreme me familjen e tij, nuk e ka veshkën e majtë. Babai i tij dyshon se ajo iu grabit në vitin 2011 gjatë një operacioni që iu bë birit të tij pas një aksidenti.

Fatkeqësisht në Komunën e Vushtrrisë, shumë familje po përballën me kushte të rënda për jetë.

Edhe Familja Igrishta 6 anëtarëshe nga fshati Stanovc i Vushtrrisë po lufton mjaftë ashpër me jetën.

I zoti i shtëpisë, Zahir Igrishta ndjehet i braktisur nga shteti.

Zahir Igrishta ka probleme me zemër që nga viti 2007. Ai ka pasur tre sulme. Tashmë ai nuk është i aftë të punojë. Lodhja fizike i shkakton probleme edhe më të madhe në zemër.

Familja Igrishta ka nevojë që të rregullojë shtëpinë. Çatia e tyre nuk e përballon dot lagështinë.

Prindërit e 4 fëmijëve të kësaj familje janë në hall se si do të kalojnë dimrin. Kanë frikë se edhe fëmijët do të iu sëmurën në këtë mot të ligë.

Sipas Entit të Statistikave, në Kosovë 18 për qind e njerëzve jetojnë në varfëri të skajshme, me më pak se një euro në ditë. E 48 për qind e popullatës jetojnë në varfëri.

Viti 2014 nuk shënojë përmirësim të rasteve të shumta me probleme ekonomiko-sociale.

Vetëm në listat e Kryqit të Kuq, si familje nevojtare janë të regjistruara diku rreth 17 të tilla.

Antigona Sopjani nga Kryqi i Kuq, tregon për KosovaPress, se Kryqi i Kuq nuk vlerëson se ka një përmirësim të gjendjes për vitin që po e lëmë pas.

Sipas Kryqit të Kuq, edhe këtë gjatë këtij viti Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka bashkëpunuar me ta rreth projekteve të ndryshme drejtë përmirësimit të gjendjes sociale.

Viti 2014 ishte një vit mjaftë i rëndë për një pjesë të madhe të popullit të Kosovës që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. E besa edhe për forcën e re që përfundojnë studimet por nuk gjejnë ndonjë vend pune.

Kjo më së miri është dëshmuar gjatë muajve të fundit në Kosovë kur po mbushen autobusët plot me qytetarë të cilët po ia mësyjnë vendeve të huaja në kërkim të një jetë më të mirë.

Për kryetarin e BSPK-së, Haxhi Arifi, ky problem duhet të jetë numër një për qeverinë e re në Kosovë.

Ai thotë se nuk ka pas shumë vende të reja të punës gjatë 2014-ës, por ka pasur një përparim në këtë drejtim.

Familjet nën skemën e asistencës sociale përveç pagesës që e marrin nga 40 deri në 80 euro dhe pagesës prej 400KW/h të energjisë elektrike, ata nuk gëzojnë as edhe një përfitim tjetër. Me gjithë kërkesat që kishin, ata nuk janë të liruar edhe nga pagesa e ujit. Këto familje, e që fatkeqësisht në Kosovë përbëjnë një numër mjaftë të madh, ende nuk po gëzojnë përkrahje të mjaftueshme institucionale. E standardi jetësor çdo ditë e më shumë po rritet.