.
×

Ndahet nga burri por fiton 425 milionë euro



Amerikania, Jamie Cooper-Hohn, (49), ish-gruaja e magnatit financiar të Londrës, ka fituar 337 milionë funte (afërsisht 425 milionë euro), që është shuma më e lartë e paguar në një rast të shkurorëzimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Jamie Cooper dhe Chris Hohn u takuan gjatë studimeve në Harvard të SHBA-ve, ndërsa u martuan në vitin 1995.

Ata kanë katër fëmijë, por në vitin 2012 kanë bërë një kërkesë për shkurorëzim.

Chrisi i ka ofruar bashkëshortes së tij një të katërtën e pasurisë, e cila vlerësohet të jetë 700 milionë funte, por Jamie kërkonte më shumë, duke pohuar se si rezultat i punës së përbashkët ishte krijuar kjo pasuri, transmeton Telegrafi.

Shumat e paguara gjatë procedurës së shkurorëzimit në Britani të Madhe rrallë herë bëhen publike, ndërsa kjo është më e madhja që ndonjëherë është zbuluar.

Deri më tani, shkurorëzimi më i shtrenjtë i një çiftit që ka ndodhur në Britani të Madhe ishte ai i vitit 2011, kur oligarku rus, Boris Berezovsky, dëmshpërbleu ish-gruan e tij, Galina Berezovsky, mes 100-200 milionë funte.