.
×

Naime Beqiraj merr “Çmimin e lirisë” për poezinë “Republika” në Takimet letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli”



“Çmimi i lirisë” për poezinë time “Republika” në Takimet letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë
Çmimet letrare nuk të bëjnë poete më t’mirë; janë vetëm dëshmi që krijimtaria vlerësohet, e sidomos kur mbajnë sinonim lirinë – gjakimit shekullor të pejanëve për liri, kur mbajnë Azem Shkrelin emër, kur ndahet nga tri poete dhe profesoresha universitare: Ilire Zajmi, Entela Kasi e Vjollca Dibra. Falemnderit vasha!

REPUBLIKA

Të buta supet e saj
Të buta kalorëse
Për të bartur pesha të rënda

Të reja vitet e saj
Të reja shtalb
Për ta kaluar rolin e urtakes

Edhe dashurinë e ka të brishtë
E brishtë si thes me pupla
Për t’i luajtur të gjithë

E fortë krenaria, e fortë
E fortë deri në mëkat
Mos ta lejoj Atin të drejtësoj

E të qeshurën e bukur
Aq sa hirësia e Solomonit
Nuk mund t’i thotë, jo

I qartë fërkemi i saj
Fluturim plot
Sa me e hup lojën, vetës gola

Dhimbshëm humbja, humbja e saj
Por jo e qeshura prej mushkërive
Me to i kapërcen thepisjet

Kampione ecja e saj
E para del sa s’ia kalon kush
T’i kthejë dhuratat në armiq

I akullt inati, i akullt
Pik’ acar sa hakmarrja
Për t’rënë n’kurthë me vetën

I butë shikimi, i butë
Sa s’mund t’i rezistosh
T’ia kthesh shpinën, jo besnikërinë

E këndshme e hedhura e saj
E para, e njëqindta, e mijëta
Për ta ushqyer gjarpërin me ambroz

Si erë e ka sundimin
Përditon ngopshëm mirë e bukur
E mandej i përmbys kupat e verës

E mrekullueshme hija
Mrekulli, dëshmi, ringjallje
Për t’i prirë të pabesët