.
×

Nagavci: Kushtetuta e thotë se Thaçi s’ka rëndësi e ndikim në krijimin e qeverisë



Botapress, 18 Janar – Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i është kundërpërgjigjur edhe njëherë thirrjes së presidentit Hashim Thaçi rreth çështjes së mandatarit.
Nagavci, në një postim në facebook shkruan se “presidenti Thaçi duke qenë i anshëm dhe kundër LV!, po dëshiron të krijojë huti te qytetarët e presion tek LV!”.
“Në aspekt institucional, sipas Kushtetutës së Kosovës, ai nuk ka rëndësi e ndikim në procesin e krijimit të qeverisë”, shkruan Nagavci.
Kujtojmë se sot gjatë ditës presidenti Thaçi tha se nëse Kurti nuk pranon dhe s’është i gatshëm të qeverisë, atëherë, le ta refuzojë tek ai pozitën.
“Përkundër deklaratave dhe interpretimeve të ndryshme në lidhje me formimin e qeverisë, Kushtetuta e përcakton se të drejtën për të propozar mandatarin për formimin e qeverisë e ka vetëm LV! ”Presidenti cakton mandatarin për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”. (Kushtetuta e R.K. neni 84, parag.14)”, ka kujtuar Nagavci, transmeton Koha.net.
Ajo, tutje thotë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka zgjidhur dhe çështjen e shumicës së Kuvendit, e cila sipas interpretimit i takon LV! e cila ka të drejtën që t’i propozojë kandidatin për mandatar, Presidentit të Republikës.
“Presidenti mund të dekretojë mandatarin, vetëm pasi kjo të ketë ndodhur. Më tutje Kushtetuta përcakton se , “nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.” (Neni 95 parag.4)”, kujton tutje Nagavci në një postim në facebook.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, thotë se nuk është nevoja që Thaçi të bëjë presion.
“Pra çështja është e qartë dhe nuk ka nevojë që Presidenti i vendit të bëj presion apo të krijoj huti në kuptim të të drejtës për të propozuar mandatarin. Edhe në rastin e parë sikundër edhe në rastin e dytë, e drejta e propozimit të mandatarit i takon vetëm Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndërsa sa i përket afatit kohor për propozimin e emrit të mandatarit të parë nga ana e LV!, Kushtetuta është e heshtur. Ky është argumenti i parë dhe i pakontestueshëm, kurse në favor të këtij interpretimi shkon edhe veprimi praktik i Presidentit, kur pas dorëheqjes së z.Haradinaj, iu drejtua z.Veselit si të parit të PAN-it për të propozuar kandidatin për kryeministër. Përgjigja ishte negative dhe vendi shkoi në zgjedhje”, shkruan Nagavci.
Tutje Nagavci thotë se s’ka mundësi për zgjidhje tjera veçse një qeveri me Vetëvendosjen në krye.
“Pra nuk ka mundësi për zgjidhje tjera. Qeveri të mandatuar nga LV! sipas kësaj që u tha ose zgjedhje të reja. E në interes të vendit është themelimi i institucioneve dhe fillimi i punës për çkapjen e shtetit, për luftimin e krimit e korrupsionit, për zhvillimin e vendit, pra është Qeveria Kurti”, përfundoi Nagavci.