.
×

Nafta që prodhohet në Ballsh është e standardeve të BE-së



Informacioneve të disa ditëve më parë nëpër disa media kosovare se nafta që prodhohet në rafinerinë e Ballshit, që shitet edhe në Kosovës, është jashtë standardeve cilësore, është demantuar të premten nga kompania AMRO Sh.A., përmes një njoftimi për media.

“ARMO Sh.A., e ka për mburrje të njoftojë se për herë të parë – në 35 vitet e saj, rafineria e Ballshit prodhon gazoil (naftë) me përmbajtje shumë të ulët squfuri, (ose ULSD) me cilësi sipas Standardit Europian të Emisioneve EN 590, çka presupozon edhe një përmbajtje squfuri më të ulët se 10 ppm”, thuhet në komunikatë.

Sipas këtij njoftimi, cilësia e gazoilit (naftës), verifikohet në mënyrë të vazhdueshme nga kontrollet laboratorike dhe për këtë dëshmohet nga certifikimet e lëshuara në baza ditore nga autoritetet e shtetit Shqiptar.

“Produktet e ARMO-s, për çdo litër që hidhet në tregun shqiptar, kontrollohen dhe pajisen me certifikatë, ndërkaq falë kësaj cilësie të arritur, që prej më shumë se dy muajve gazoili (nafta) i ARMO-s po eksportohet me sukses edhe në tregjet europiane dhe rajonale”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Përmes këtij njoftimi AMRO Sh.A., dëshiron t’i sigurojë partnerët kjo kompani do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për ta furnizuar tregun me produkte të naftës të cilësisë së lartë – standarde të BE-së.

“Përmes cilësisë së lartë, korrektësisë në shërbime dhe me çmime të volitshme ne synojmë të jemi lider në rajon”, thuhet në fund të komunikatës së kompanisë AMRO Sh.A.