.
×

Mustafa për rrëzimin e Qeverisë: Do mundohemi të përfitojmë edhe dikë nga koalicioni qeverisës



Botapress, 18 Maj-Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar sërish qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradnaj.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kuvendit të LDK-së, Mustafa tha se alternativa e koalicionit qeverisës ka rrezikuar marrëdhëniet me Amerikën dhe Bashkimin Evropian.Kryetari i LDK-së tha se qeverisja aktuale e ka rritur korrupsionin dhe e ka kthyer procesin e liberalizimit të vizave në fillim, kur luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, ishte një nga 95 kriteret për heqjen e vizave.

Kriter për të cilin, sipas Mustafës, ishte plotësuar nga qeveria e udhëhequr nga ai.“Alternativa qeverisëse e atyre që janë bërë bashkë që për të rrëzuar qeverinë që është drejtuar nga LDK është kjo që është sot është një alternativë e që na e ka rrezikuar raportet me Bashkimin Evropian, me Shtete e Bashkuara të Amerikës.

E ka bllokuar Kosovën, e ka bllokuar punën e Kuvendin e ka rrit korrupsionin sepse ne atëherë kem pas vlerësime nga Komisioni Evropian se kem përmbushur 94 kritere nga 95, kemi përmbushur edhe kriterin kundër krimit dhe korrupsionin. Tash shtete e BE po thojnë se kem problem me krimin dhe korrupsionin prandaj edhe përkundër asaj që është miratuar në Kuvend shënimi i vijës kufitare me Malin e zi po hapet problemi i korrupsionit si vërejte për liberalizim të vizave”, deklaroi ai.Mustafa tha se janë duke punuar në sigurimin e votave për mocionin e mosbesimit.

Sipas tij, përveç me LVV dhe PSD janë duke u munduar që të sigurojnë vota edhe nga partitë e koalicionit aktual.“Jemi shumë të interesuar që si LDK ti kontribuojmë forcimit të shtetit të Kosovës, t’i kontribuojmë forcimit ekonomik dhe punësimit të njerëzve dhe të kontribuojmë që Kosova të del para opinionin ndërkombëtar si shtet i fortë. Ne do të vazhdojmë ne do të ftojmë edhe VV dhe PSD që t’i bëjmë bashkërisht nënshkrimet. Do i presim dhe do mundohemi që të përfitojmë dikë nga partitë e koalicionit. Si LDK jemi në gjendje që prej sot të japim nënshkrimet tona dhe do kërkojmë edhe nga të tjerët që ta bëjmë këtë punë”, shtoi Mustafa.

Kreu i Lidhjes Demokratike ka komentuar edhe njëherë publikimin e një fotografie nga videot pornografike e të paraqitur nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, si dëshmi nga dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë.Deputetja Brovina, thotë Mustafa, nuk është përgjegjësja e vetme për këtë veprim.“Është për keqardhje një sjellje e tillë në Kuvend dhe pasimi i fotografive të tilla se ato prekin thellë dinjitetit edhe të grave edhe të tjerëve që kanë pas probleme me forcat paramilitare në Kosovë.

Është e papranueshme plasimi i një fotografie të tillë po a e ditë burimin , nuk e shoh përgjegjëse vetëm zonjën Brovina, shprehi keqardhje që asaj i ka ndodhë kjo, por është problemi tek ata që janë në pushtet edhe të partisë demokratike edhe partive tjera që dëshirojnë në çdo formë të mbajnë pushtetin. Nuk është mirë që për shkak të nevojave politike që dikush të gjejë mbulesë me këtë çështje”, ka thënë ai.