.
×

Mustafa, në situatë të vështirë me ministrin Jabllanoviq



Kërkesat e qytetarëve të Gjakovës për shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviq, nuk po merren parasysh nga kryeministri Isa Mustafa.
Ai as të dielën nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me shkarkimin e ministrit serb, që i ka quajtur egërsira nënat gjakovare.
Mustafa, që ka nderuar familjen e Enver Malokut në 16- vjetorin e vrasjes, ka thënë se nuk është momenti të flitet për këtë temë.
Por, atë që nuk e bën shefi i saj, e ka bërë deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo ka shkruar në “Facebook” se gjuha e ministrit Jabllanoviq është e njëjtë me propagandën shoviniste serbe, e cila me vite të tëra, edhe në televizionin shtetëror serb, ushqente urrejtje ndaj shqiptarëve duke i quajtur ata njerëz me bishta, apo kafshë.
Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri ka pohuar se kryeministri Mustafa është në situatë të vështirë. Ai ka pohuar se politikanët serbë në Kosovë janë të përkëdhelur nga bashkësia ndërkombëtare.
Në protestën e së shtunës në Gjakovë, ka pasur kërkesa edhe për dorëheqjen e Isa Mustafës për mosreagim të duhur. Kurse janë paralajmëruar edhe protesta masive në Prishtinë. /KTV/