.
×

Mustafa: Haradinaj dha dorëheqje për të shkuar në Hagë si person privat, por shkoi si kryeministër



Botapress, 6 Gusht-Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, edhe pse dha dorëheqje për të shkuar në Hagë si person privat, ai përsëri shkoi atje në pozitën e kryeministrit.

Sipas Isa Mustafës, Haradinaj vetëm e arsyetoi dorëheqjen e tij me çështjen e Hagës.

“Zoti Haradinaj në fillim e arsyetoi këtë veprim se nuk dëshiron të shkojë në Hagë si kryeministër, por dëshiron të shkojë në Hagë si person privat”, tha Mustafa duke shtuar se “faktikisht nuk ndodhi sepse në Hagë shkoi si kryeministër i dorëhequr, do të thotë prapë kryeministri apo kryeministri në dorëheqje është i njëjti pozicion me pak dallime sa i përket aktit të dorëheqjes”.

Por gjithsesi Mustafa shtoi se është çështje e tij dhe se nuk do ta shfrytëzojnë dorëheqjen e tij për arsye politike.

“Ne e kemi vlerësuar se është çështje e tij dhe vlerësimeve të tij por nuk i kemi dhënë, të themi karakter tjetër politik”, tha Mustafa.

E sipas tij, problem më i madh ende mbetet fakti se me kushtetutë nuk është e definuar mirë se çfarë ndodh nëse një kryeministër largohet nga pozita e tij.

“Ka pasur edhe vlerësime tjera, në fakt po shihet se tani vendi është në një situatë mjaft të keqe sepse as me kushtetutë nuk është definuar mirë se çfarë ndodh pasi të jap dorëheqje të pakthyeshme kryeministri, se a është më kryeministër a jo”, tha Mustafa.

E për këtë, kreu i LDK-së tha se pas zgjedhjeve do ta plotësojnë kushtetutën në mënyrë që ta mbushin këtë boshllëk.

“në këtë rast konsideroj që shpëtimi është që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje dhe më vonë natyrisht do të shohim ta plotësojmë kushtetutën në këtë pjesë në mënyrë që të mos kemi boshllëk kushtetues”, tha ai për Zërin e Amerikës.

E gjitha kjo, sipas tij do të bëhet për ata që e shpallin vetën “kryeministra por vazhdojnë ta ushtrojnë këtë detyrë”.

Isa Mustafa u rizgjodh për herë të tretë në krye të partisë me 3 gusht. Ai arriti që ta mposhtë Fatmir Sejdiun, ndërsa ka deklaruar gjithashtu se nuk do të jetë kandidat për kryeministër, gjë që i hap rrugë anëtarëve të tjerë për këtë post.