.
×

Muhaxhir në Kosovë, muhaxhir në Suedi!      



Libri roman me titullin ”Larg vendlindjes” i kushtohet familjes së autorit, prejardhjes së saj, vendosjes si muhaxhir në Kosovë e në Suedi, jetës së rënduar gjithnjë larg vendlindjes. Libri fund e krye është i sajuar në bazë të kujtimeve,mbushur me përmallim plot me travaje për vendlindjen,për florën e faunën e saj, për gjeografinë dhe për njerëzit e saj.

Gjërat janë shtruar dhe thënë ashtu si i ka parë syri, si i ka kuptuar mendja dhe si i ka ndier shpirti i autorit. Në libër hasim shkrirje ndjenjash dhe emocionesh të cilat depërtojnë me lehtësi edhe në shpirtin secilit lexues. Prej nga lind gjithë ky frymëzim, ky përmallim, kjo dashuri dhe kjo vuajtje kaq e madhe e autorit?

Fati jetësor deshti që familja muhaxhire e autorit përsëri u bë muhaxhire – në Suedi, larg vendlindjes, me çka tani edhe një herë, pra përsëri, u bë muhaxhir në vendlindje –në Koliqin dhe Kosovën e tij të dashur. Muhaxhir në Kosovë, muhaxhir në Suedi!…Muhaxhir një herë…Muhaxhir dy herë!…Muhaxhir shumë herë!…

Romani është i shkruar  larg vendlindjes, në formën e vetës së parë (unë) dhe ka karakter autobiografik. Pra,është i mbështetur në kujtimet e autorit për ngjarjet e ndodhitë me të cilat jeton dhe në të cilat ai ”gjen ngushëllime”, i përshkuar me mall e përmallim për vendlindjen – Koliqin, me dashuri për atdheun, për familjen e farefisin (sidomos për nënën dhe babain), me përshkrime edhe romantike e edhe realiste të ngjarjeve,ambienteve e të njerëzve të vendlindjes, por edhe me shumë tabllo të jetës muhaxhiriane në Suedi. Naracioni në formë të një kronike për familjen dhe vendlindjen gjatë një kohe të caktuar është një mënyrë e të shprehurit dhe e derdhjes së kujtimeve me ngjyra artistike,të cilat librit ia ndërtojnë vlerën dhe kriterin për t´u klasifikuar edhe në beletristikë, por më shumë i përket publicistikës. Romani është i pasur me figura stilistike, me primesa të një gjuhe e nëndialekti të vendlindjes së autorit, me shumë shprehje e fraza të bukura popullore, cilën gjuhë autori dëshiron dhe insiston ta ruaj e ta kultivojë, karakteristika këto të cilat paraqesin një kolorit interesant për lexuesin dhe librit ia shtojnë vlerën.( Fetah Bahtiri )