.
×

MPJ u reagon institucioneve të reja të BE’së: Mos i ndërlidhini vizat me dialogun



Ministria e Punëve të Jashtme u ka reaguar institucioneve të reja të Bashkimit Evropian, lidhur me idenë e tyre që liberalizimi i vizave të ndërlidhet me përfundimin e dialogut në mes të Kosovës e Serbisë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MPJ ka thënë se kjo ide është ngatërrim i dy proceseve që nuk mundet dhe nuk duhet të ndërlidhen.

“Dialogu si mjet i vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka për qëllim të ndërtoj bazamentin për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe proceset në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet të ecin ndaras dhe pa kushtëzime”, thuhet në komunikatë.

MPJ thotë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng të ideve, tekeve dhe vullneteve të pamatura dhe imponuese, pavarësisht se nga kush vijnë si ide.

“Dialogu duhet të ketë rrjedhën e vet dhe nuk duhet të has në obstrukcion nga ide që kanë për qëllim ta ndryshojnë kontekstin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara nga konflikti Republikë e Kosovës – Republikë e Serbisë, në një kontekst rajonal, apo në procese që Kosova ka karshi Brukselit zyrtarë”, thuhet tutje në komunikatë.