.
×

MPJ nerr listën zyrtare të 23 kosovarëve të arrestuar në Kumanovë



Botapress, 14 maj

Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtë të Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur për Kallxo.com se dje e kanë marrë listën zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë me emrat e të arrestuarve nga Republika e Kosovës. Sipas asaj liste janë 23 shtetas kosovarë që janë arrestuar në incidentin e armatosur në Kumanovë të Maqedonisë.

“Dje më në fund e kemi marrë një listë nga autoritetet maqedonase me emrat e 23 qytetarëve të Kosovës të cilët janë arrestuar në Kumanovë. Ambasada ka nisur menjëherë përpjekjet që së pari të vë kontakt nëse të arrestuarit kanë pranuar të kontaktohen nga ambasada – t’i shikojë nevojat e tyre, gjendjen shëndetësore, t’i njoftojë familjet e tyre dhe ta organizojë një vizitë familjare deri të premten”, tha Arifaj për Kallxo.com.

Ai tha se ende nuk kanë marrë asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë për shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë.

“Zyrtarisht nuk kemi asnjë konfirmim për viktima nga Kosova në Kumanovë të Maqedonisë. Normalisht që jemi të gatshëm që veprojmë, të reagojmë. Kemi kontaktuar edhe autoritetet maqedonase dhe i kemi njoftuar se jemi të gatshëm për çdo rast të veprojmë në bazë të protokolleve dhe procedurave të parapara me ligj”, shtoi Arifaj.

Arifaj bëri të ditur se autoritetet kosovare janë duke bashkëpunuar me autoritetet e maqedonase në identifikimin e të arrestuarve por edhe të viktimave.

“Autoritetet e Maqedonisë kanë kërkuar gjurmët e gishtërinjve të nëntë personave, dhe autoritetet kosovare menjëherë kanë reaguar. Pra ka bashkëpunim në identifikimin edhe të arrestuar, pasi që lista kërkon një sqarim rreth emrave, por edhe për viktimat jemi të gatshëm të ndihmojmë, edhe me verifikim, por edhe me të gjitha procedurat tjera”, tha Arifaj.

Sipas tij, është planifikuar të realizohet një vizitë të premten e kësaj jave e familjeve të shtetasve kosovarë të arrestuar në Kumanovë të Maqedonisë.

“Është paralajmëruar që të premten familjet do të lejohen t’i vizitojnë personat e arrestuar. Ajo ju takon autoriteteve maqedonase që t’jua mundësojnë të arrestuarve edhe të kontaktohen nga ambasada por edhe të vizitohen nga familjet”, tha më tej Arifaj.