.
×

Motrat Meta nga Shqipëria, një storie e suksesit në fushën e mjekësisë në Gjermani



Shkruan: Hajriz Mamaj – Wolfenbüttel – Hannover – Në qytetin ku takohen tradita dhe modernia, me shtëpi të vjetra, të cilat i shpëtuan bombardimeve gjatë luftërave botërore, e që sot akoma ruhen me shumë fanatizëm, vizitori që për herë të parë vjen në këtë qytezë ka se me çfarë ta ushqen syrin. ëolfenbüttel quhet kjo qytezë që në të tria anët rrethohet me qytete më të mëdha, siç janë: Braunschweig, Wolfsburg dhe Hanoweri. Nga vetë emri që ka ky qytet të nxitë që ta njohësh sa më shumë e më mirë.
Së pari, më interesoi të di për emrin që ka qyteti ëolfenbüttel. Nga studimet e shfletuara del se ky qytet ka marrë emrin e qytetarit të parë të vendosur në këtë vend, i cili quhej ëolferus, e që ishte një banor shumë i vjetër, ndërsa fjala Büttel vjen nga fjala Boldus që do të thotë lagje, oborr, shtëpi. Ky qytet ka histori 900 vjeçare dhe karakterizohet me vlera të mëdha historike, siç është ajo e një biblioteke më të vjetër dhe më të madhe në botë, e cila i shpëtoi bombardimeve gjatë luftës. Ky qytet nuk njihet vetëm për ruajtjen e kulturës së leximit, po edhe me Teatrin e Lessingut që daton nga shekulli XVI. Po ajo që na ka rënë në sy dhe na e dëshmuan shumë vendas të kësaj qyteze është se ky vend njihet edhe për prodhimin e Likerit bimor që në tregun botëror njihet me emrin Jägermeister. ëolfenbüttel ka 52.000 banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 80 m².
Në njërën nga këto shtëpi të vjetra që paraqesin një thesar të madh të trashëgimisë kulturore gjendet edhe Klinika private e motrave Meta nga Republika e Shqipërisë, të cilat me punën e tyre të palodhur kanë arritur të bëhen të njohura dhe të dashura për banorët e Wolfenbütelit.
Cingëroj në zilen e tyre dhe menjëherë na hapet dera për të hyrë brenda. E para që më uron mirëseardhje është Elona, motra më e vogël, me një gjermanishte të rrjedhshme më pyet arsyen e ardhjes. Ia bëj me dije se kërkoj dr. Aurora Meta Dollenberg, mjeken me të cilën jam dakorduar ditë më parë për një intervistë. “Patjetër”, thotë Elona dhe ia lëshon një zë me ngadalë për të mos i shqetësuar pacientët që kishin ardhur për vizitë në ordinancën e motrave Meta. Përshëndetem siç e kanë zakon shqiptarët dhe menjëherë caktojmë orën dhe vendin për intervistë për të mos i penguar motrat mjeke në orarin e punës. Shihemi nesër në Hanover, në ora 10.00, te Hoteli ku unë kisha bërë rezervimin.
U bëra shumë kureshtar të di edhe më shumë për punën e këtyre dy motrave ne ordinancën e tyre private që dhoma e pritjes ishte e mbushur me pacientë që prisnin për vizitë. Me padurim e prisja orën 10.00 të së shtunës për të nisur bisedën me Aurorën dhe Elonën, të cilat kanë pak dallim nga mosha dhe mbarimi i Fakultetit të mjekësisë. Për fatin tonë të nesërmen edhe dielli na shoqëronte gjatë bisedës dhe një mëngjes i shijshëm dhe më bollëk me të gjitha të mirat e Zotit. Po freskinë e bisedës na e begatonte vajza e Elonës, Luisa, 2 vjeçe për të cilën përkujdesej shumë tezja e saj Aurora.
Pasi pimë kafet e para e nisim bisedën me Elonën, si më e reja në familjen Meta, e përkëdhelura e motrës, Aurorës. “Kur keni ardhur në Gjermani”, i drejtohem Elonës, “dhe nga cili vend i Shqipërisë vini”. “Në kemi lindur në qytetin e Patosit”, përgjigjen të dyja sikur bëjnë gara se cila do të tregojë më shumë dashuri për qytetin e lindjes. Dr. Aurora më rrëfen se në vitin 2011 ka ardhur në Gjermani, ndërsa Elona në vitin 2013. “Të dyja jemi të diplomuara në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, si mjeke të përgjithshme” rrëfen dr. Aurora. “Unë në vitin 2010 ndërsa motra Elona në vitin 2012.”

“Sa kënaqësi për prindërit, dy doktoresha në shtëpi, po të dyja në Gjermani”

Elona shpërthen nga mllefi që është larguar nga atdheu dhe prindërit. “Cili njeri me dëshirë ia kthen shpinën atdheut?! S`besoj të ketë njeri të tillë. Po unë me plotë gojë them se „ atdheu“ po na detyron të largohemi. Asnjë i ri sot nuk e sheh të ardhmen e ndritur në Shqipëri nëpërmjet dijes dhe aftësive, po nuk pate të njohur dhe nuk je e lidhur me qarqet mafioze te politikës shqiptare. Motra ka mbaruar studimet me të gjitha dhjetëshe, njashtu dhe unë dhe shumë si ne, po nuk shohin perspektivë atje. Nuk deshëm të bëhemi servilë të askujt dhe investimin tonë 20 vjeçar në nxënien e njohurive në mjekësi deshëm ta vazhdojmë në Gjermani dhe ia dolëm.”
“Unë gjermanishten e mësova në Shqipëri, jo edhe aq mirë sa duhet, po me nivelin B1 e nisa punën si mjeke praktikante me shumë vështirësi dhe përbuzje nga mjekët gjermanë. Janë të rreptë shumë në punë dhe kërkojnë përgjegjësi. Po me punë arrihet gjithçka”, rrëfen dr. Aurora, “ndërsa motra e ndoqi kursin njëvjeçar dhe fatbardhësia që fatin e lidhëm me gjermanë, ka bërë që gjermanishten ta mësojmë më mirë dhe të arrijmë këtu ku jemi.”
“Në Gjermani çmohet vetëm puna dhe nuk ka forma tjera të hatërllëkut dhe akraballëkut si në Shqipëri. Ka shumë net që nuk kemi fjetur që të arrijmë këtu ku jemi sot”, rrëfen Dr. Aurora. Kur bëhet fjalë për vështirësitë, Dr. Elona nuk ka durim të mos kyçet në bisedë. “Zoti Mamaj, unë flas pesë gjuhë, ama gjermanishtja është shumë e vështirë, por dëshira dhe qëllimi i mundin të gjitha, kësaj duhet shtuar edhe puna e palodhshme, rezultatet pastaj renditen sikur dallëndyshet kur kthehen ne vende të nxehta. Një i prin e tjerat i shkojnë pas”. “Po juve kush ju ka prirë në këtë sukses”, iu drejtohem motrave Metaj. “Puna”, thotë dr. Aurora Meta Dollenberg. “Ne, dijen e kishim”, thotë dr. Elona. “Me dhjeta kishim mbaruar studimet, po këtë dije ku ta fusnim në shërbim. Në Shqipëri ku gjithçka mungon. Këtu të vetmen pengesë e kishim gjuhën, sepse dijen e kishim, punën e mësuam nga gjermanët dhe arritëm të pavarësohemi dhe të jemi çdoherë në kërkim të nxënies së njohurive të reja. Vuajtjet harrohen kur sukseset vijnë duke u shtuar. Pas mbarimit të specializimit në mjekësinë interne, fillova të punoj në Klinikën time private, ndërsa motra krahas specializimit dhe punës në spital punon edhe në Klinikë së bashku me mua. Kemi shumë pacientë dhe vetëm nuk ia dal”, rrëfen dr. Aurora. “Pa ndihmën e Elonës, nuk ia arrij t’i kontrolloj të gjithë.”
“Kemi mbi 1000 pacientë në muaj”, thotë dr. Elona. “Këtë sukses e kemi arritur në bazë të punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm për pacientët tanë. Disiplinat që ne i mbulojmë ne ordinancën tonë janë: Mjekësia familjare, mjekësia e urgjencës, psikoterapia dhe diagnostika ekografike. Mbi 80% e pacientëve janë gjermanë, pjesa tjetër të nacionaliteteve të tjera, po kemi edhe shumë shqiptarë nga trojet tona. Posedojmë teknikën më moderne për diagnostifikim. Thënë drejt, fjala e fundit e teknologjisë mjekësore”. Si me shaka ndërhyn motra e vogël, dr. Elona dhe shton: “Dr. Aurora jo vetëm që është pasuruar me teknologji mjekësore më moderne, por ajo ka mbaruar edhe disertacionin dhe tash është doktore e Shkencave të mjekësisë, por këtë nuk deshi ta thotë për hir të modestisë. Pra, klinika jonë është e plotësuar nga të dyja anët. Dhashtë Zoti nga të dyja anët t’u ndihmojmë pacientëve tanë”. Në bisedë e sipër me të dy motra, iu dalin nga goja edhe momentet e vështira që shpeshherë u kanë sjellë telashe në komunikim me pacientët, në ditët e fillimit si mjeke në Gjermani. Elona është më e rreptë dhe pa hezitim shprehet. “Fillimi vërtet është i vështirë. Komunikimi është tejet i vështirë. Mentaliteti dhe paragjykimi për të huajt. Kur të mblidhen të gjitha këto vjen përqeshja dhe mosrespekti nga ana e pacientit. Po ilaçi për një të huaj është durimi dhe puna. Kur këtë e bënë pjesë të punës së përditshme atëherë rezultatet dhe buzëqeshja nuk mungon nga asnjëra palë. Sot në ordinancën tonë private, buzëqeshja dhe trajtimi i mirë dhe profesional është terapia më e mirë që marrin pacientët nga ne motrat”.“Pajtoheni që t’i kthehemi pak jetës private se na lodhën pacientët, ilaçet, vështirësitë e problemet e shumta deri te sukseset”. “Patjetër”, përgjigjet Elona. “Unë jam e martuar dhe kam një vajzë dy vjeçe. E kemi pagëzuar me emrin Luisa. Bashkëshorti im është gjerman dhe e kam krah të fort në realizimin e synimeve të mia profesionale”. “Edhe unë jam e martuar me një gjerman, nga një familje shumë me zë dhe me traditë në shkencë e kulturë. Po fushat i kemi të ndryshme. Unë në shkencat e mjekësisë, ndërsa burri në informatikë. Projekti im i ardhshëm është të sjelli në jetë një fëmijë dhe të kompletojmë familjen”. “Do e mbyllim këtu”, i them dr. Aurorës “se projekti që e zbuluat do kohë apo do vazhdojmë bisedën”. “Jo”, ndërhyn dr. Elona, “motra ime është si uji që nuk fle. Ajo është sekretare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani dhe një pjesë të madhe të kohës ia kushton aktiviteteve që zhvillon shoqata. Nuk përfundon këtu, motra ime është edhe themeluese e Organizatës Mjekët e së ardhmes në Shqipëri, po këtu është dorëzuar dhe përgjegjësinë ma ka lënë mua, kështu që unë jam kryetare e OMA me seli në Tiranë”.
Sa rrinim e zgjeronim muhabetin shtoheshin edhe tema të reja për tu hedhur në letër. Në anën tjetër, Luisa kërkonte këndin e saj të lojërave dhe kërkonte tetën Aurora ta merrte me vete, në tavolinën tonë na erdhi edhe një mjeke nga Shqipëria, që kishte ardhur mysafire te motrat Meta. Zonja Viola Halili Fera na mori vëmendjen me rrëfimet për mjekësinë në Shqipëri dhe vendosëm që për Organizatën Mjekët e së Ardhmes të zhvillojmë një intervistë të veçantë me dr. Elonën si kryetare dhe dr. Vjola Halili Fera si bashkëveprimtare në këtë organizatë. Ato pak minuta që na ngelën për kafen lamtumirëse me motrat Meta dhe përqafimi me Luisën, sikur më dhanë forcë të mos e ndiej lodhjen e ditës së sotme në ëolfenbüttel dhe Hanover. U ndamë me shpresën që shumë shpejt të takohemi sërish dhe të shkruaj për sukseset e motrave, Dr, Aurora Meta Dollenberg dhe Dr. Elona Meta.