.
×

Mospajtime për emërimin e ambasadorëve të rinj



BOTAPRESS 3 TETOR – Reformimi në shërbimin diplomatik nuk ka përfunduar ende. Shumë ambasadorë të cilët ishin në krye të Ambasadave të Kosovës nëpër botë nuk janë zëvendësuar ende me ata të rinj.

Edhe pse ligji parasheh ndryshim të përfaqësuesve diplomatik, një gjë e tillë nuk po bëhet për arsye të mospajtimeve në mes emrave të propozuar.

Edhe pse mandati i shumë prej tyre ka skaduar, vende të ndryshme të botës nuk kanë përfaqësuesit e rinj kosovarë në ambasada.

Lidhur me këtë çështje Indeksonline ka kontaktuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Sipas tij, një proces i tillë pritet që të përfundojë së shpejti. “Jo ende nuk ka përfunduar në tërësi, jemi në proces”, ka thënë shkurt Pacolli.

Së fundi nga Kosova janë emëruar disa ambasadorë të rinj, prej tyre Lirim Grajçevci në Holandë, Gjergj Dedaj në Maqedoni, Beqë Cufaj në Gjermani dhe Arbër Vllahiu në Çeki.

Ndryshe Republika e Kosovës ka gjithsej 26 ambasada jashtë vendit dhe dy zyra ndërlidhëse në Egjipt dhe në Serbi.