.
×

Mogherini:Beogradi kërkoi shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes



 

42 gjyqtarët serbë nuk kanë shkuar për ta bërë betimin te Presidenti Hashim Thaçi, si gjyqtarë të Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë të ndodhte sot. Për dështimin e kësaj Marrëveshjeje që u arrit në mes të Thaçit dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq në muajin gusht, ka reaguar edhe zyra e Federica Mogherinit, si ndërmjetës të dialogut Kosovë – Serbi. Nga kjo e fundit kanë sqaruar për Express se kush kërkoi shtyrjen e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

 

Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e muajit gusht në Bruksel, u pajtuan për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësinë, konkretisht integrimin e gjyqtarëve e prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Kosovës. Sipas marrëveshjes së arritur, gjyqtarët dhe prokurorët më 17 tetor do të duhej të integroheshin në sistemin e drejtësisë të Kosovës. Por as sot, gjyqtarët serbë nuk shkuan që të betoheshin para Presidentit Thaçi.

 

Por nga zyra e shefes për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, në një përgjigje dhënë të martën për Gazetën Express, kanë bërë të ditur se Beogradi ka bërë kërkesën për shtyrje të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, edhe pse thonë se integrimi i saj është i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi drejtësinë.

 

“Presidentët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord më 31 gusht 2017 se integrimi i drejtësisë do të ndodhte më 17 tetor, pra sot. Pranojmë kërkesën për shtyrje nga Beogradi. Prishtina ka përmbushur angazhimet e saj në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Drejtësinë.

 

Integrimi i Marrëveshjes së Drejtësisë është i rëndësishëm për të përmirësuar sundimin e ligjit në tërë Kosovën dhe në veçanti në rajonin e Mitrovicës”, kanë shpjeguar ata.

 

E zyra e Presidentit ka sqaruar për mosshkuarjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve për ta bërë dekretimin, ndonëse as kësaj radhe nuk kanë munguar akuzat ndaj BE-së dhe Beogradit.

 

“Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”, thuhej nga zyra e Presidentit.

 

Por Bashkimi Evropian nuk i ka komentuar akuzat e presidentit Thaçi drejtuar atij, i cili tha se kjo është një paaftësi e Brukselit si ndërmjetësues në dialog.

 

Megjithëkëtë, nga zyra e Mogherinit thonë për Express se Bashkimi Evropian pret një angazhim konstruktiv për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura brenda Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

 

“Është shumë e rëndësishme që integrimi i drejtësisë të ndodhë pa vonesa të mëtejshme”, kanë shtuar tutje ata.

 

Me këtë sistem të drejtësisë sipas asaj që deklaroi të hënën Bashkimi Evropian, pritet që t’i jepet fund funksionimit të gjykatave në veri të Kosovës nën juridiksionin serb duke i vendosur ato nën sistemin gjyqësor të Kosovës.