.
×

Mogherini: Në takimin Thaçi-Vuçiq do të diskutohet për arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore



Botapress, 30 Gusht-Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, është takuar me presidentin austriak, Alexander va nder Bellen gjatë të mërkurës, me të cilin ka shkëmbyer pikëpamjet rreth dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Mogherini ka thënë se ka marrë mbështetjen e plotë të Austrisë, duke e quajtur këtë si një gjë mjaft të rëndësishme.

“Ne do të kemi një rund të ri të dialogut ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel të premten me 7 shtator. Ne do të vazhdojmë me bisedime edhe pse mund të jenë të vështira, por do të jenë rreth arritjes së një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore”, ka thënë Mogherini, shkruan mediumi serb ‘telegraf’, transmeton Gazeta Express.

“Unë personalisht besoj se projekti i BE-së nuk është i kompletuar pa u anëtarësuar edhe vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen tonë. Është në interesin tonë ta hapim derën dhe t’i lëmë ti bashkohen familjes evropiane”, ka thënë tutje përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Ndryshe dje ministri për Kthim dhe Komunitete në Republikën e Kosovës, Dalibor Jevtiç, ka thënë se Vuçiq pas takimit të 7 shtatorit në Bruksel do të qëndrojë për vizitë në Kosovë me 9 shtator, ku edhe do të tregojë marrëveshjen përfundimtare sa i përket çështjes së Kosovës./GE/