.
×

Mjerim: Rreshteri Shefki Spahiu ishte ndaluar dhe dekoruar nga Shpend Maxhuni edhe pse…



Skandalet me Policinë e Kosovës, kohëve të fundit nuk kanë të ndalur.

Pak kohë pasi që opinioni u trondit nga rasti i Drenasit ku polici hetues Vesel Veseli dyshohet se abuzoi seksualisht me një të mitur, në Suharekë, rreshteri i policisë Shefki Spahiu dyshohet se vrau një 32-vjeçar derisa me një grup tjetër kishin hyrë për të grabitur.

Por, për të dyshuarin, i njohur mirë për skandale, vite më parë rëndonin akuza se kishte dhunuar dy vajza të mitura e edhe se kishte falsifikuar dokumente e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare. Por, megjithëkëtë kjo nuk e kishte ndaluar atëherë shefin e Policisë, Shpend Maxhunin që të njëjtin ta dekoronte me mirënjohje për punë të mirë, raporton Gazeta Express.

Më 22 qershor të vitit 2015-të, policit Shefki Spahiu nga Komuna e Suharekës, Gjykata Themelore e Prizrenit ia caktoi masën e një muaji paraburgim, nën dyshimet se kishte keqpërdor seksualisht dy vajza të mitura.

Shefiku dyshohej se më 9 qershor të atij viti, në një motel në komunën e tij kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur, nën moshën 16-vjeçare, e pas saj, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me një vajzë tjetër, po ashtu të mitur.

“Në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, duke shfrytëzuar situatën e pambrojtur dhe moshën e të dëmtuarave, pas kryerjes së aktit seksual me njërën të mitur, kryen aktin seksual edhe me një të dëmtuar tjetër,” shkruhej në aktakuzë.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prizren, një vit më vonë do ta shpallte të njëjtin të pafajshëm, duke vlerësuar se pretendimet e prokurorisë ishin të paqëndrueshme.

Vetëm pak muaj më vonë, polici i akuzuar për abuzim seksual, në dhjetor të atij viti në ceremoninë vjetore u dekorua me mirënjohje nga shefi i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Kjo mirënjohje, në vitin ku ai po gjykohej nën dyshimet për abuzim me të mitura iu dha për të arriturat që i pati gjatë asaj kohe.

Se për Spahiun rëndonin këto akuza, e kanë konfirmuar gjatë ditës edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga IPK kanë sqaruar se ai ishte arrestuar në datën 19 qershor të 2015-tës e të njëjtën ditë ishte suspenduar nga vendi i tij i punës. Edhe pas vendimit të Gjykatës, në tetor të atij viti IPK kishte rekomanduar që i njëjti të transferohet diku tjetër.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) më 19.06.2015 me aktvendim të prokurorisë Themelore në Prizren e kanë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë të dyshuarin Sh. S.

I njëjti me rekomandim të IPK-së është suspenduar dhe ndaj tij nga Inspektorati Policor i Kosovës është ngritur kallëzim penal me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”.

Më 25 tetor të vitit 2016 zyrtarit Policor i është rekomanduar masa e transferit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së. Dy vite më vonë, polici problematik ishte në llupë të IPK-së nën dyshimet se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kishte falsifikuar dokumente.

“Hetuesit e IPK-së më 05 dhjetor 2018, për një rast tjetër, ndaj të dyshuarit Sh. S ka ngritur kallëzim penal në prokurorinë kompetente me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, kanë bërë të ditur nga IPK.

Por, historia nuk përfundon me kaq. Sipas disa burimeve polici i njëjtë, i dyshuar për disa raste frekuentonte shpesh kazinotë, e ishte fans i alkoolit e ndejave të natës.

Njëjtë kishte ndodhur edhe ditën kur i njëjti dyshohet se me një grup kishte shkuar në një kazino, në qytetin e tij në orët e para të mëngjesit dhe kishte qëlluar për vdekje një 32-vjeçar, derisa këta në atë kazino dyshohet se po kryenin një vjedhje.

Dyshimet janë se atë ditë ai kishte qëndruar në kazino deri vonë, e në momentin kur i shkrepi plumbat drejt viktimës, personi i vrarë veçse e kishte identifikuar.

Nga Inspektorati i Policisë së Kosovës për rastin e djeshëm thonë se deri më tani hetimet tregojnë se polici i dyshuar nuk ka qenë në detyrë zyrtare në momentin kur ka ndodhur rasti.

“Sa i përket incidentit të djeshëm (rastit të vrasjes në Suharekë), hetimet e deritashme tregojnë se i dyshuari Sh. S nuk ka qenë në detyrë zyrtare në kohën kur ka ndodhur incidenti. Sa i përket armës që është përdorur në këtë fazë të hetimeve nuk mund të jepen detaje pasi që janë një sërë ekzaminimesh balistike dhe ekzaminime të tjera që duhet të bëhen”, bëjnë të ditur nga Inspektorati.

Rreshteri i policisë, i dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit Jetmir Alijaj nga Mushtishti i Suharekës, fillimisht është ndaluar për 48 orë, ndërkaq, është bërë kërkesë për caktim të paraburgimit.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e rreshterit të policisë, madje u konfiskua edhe një armë, disa fishekë e dy karikatorë.

Gazeta Express mëson se i njëjti ka të punësuar vëllaun si shofer në Prokurorinë Themelore të Prizrenit

. Madje, në ditën kur ndodhi vrasja, i njëjti kishte shoqëruar prokurorin e rastit deri në vend të ngjarjes. Këtë e ka konfirmuar për Expressin edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Admir Shala.

“Është shofer e ka çu prokurorin në vend të ngjarjes edhe ka qenë kujdestar atë ditë prokurori e ka thirr me çu në vend të ngjarjes”, ka deklaruar ai, duke shtuar se nuk e kishin ditur paraprakisht se bëhej fjala për Shefki Spahiun.

Mirëpo, në profilin që i dyshuari rreshter i policisë ka të publikuara në profilin e tij në rrjetin social Facebook, shihet krahas disa figurave të AAK-së e madje edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Se ishte simpatizant i partisë së kryeministrit, pohojnë për Expressin edhe struktura të kësaj partie në këtë komunë, e merrte pjesë në organizime të ndryshme që bënte partia, si simpatizant.

Lidhur me rastin e rreshterit nga Suhareka, kishte reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla i cili përmes Facebook’ut kishte reaguar për rastin, duke përmendur dyshimet e atëhershme si dhe nevojën për veting në Kosovë.
Rreshteri Spahiu nuk është i vetmi polic i dyshuar për abuzim seksual me vajza të mitura.

Njëjtë si ai, pak muaj më parë, polici hetues nga Drenasi, Vesel Veseli, u arrestua nën dyshimet për keqpërdorim seksual të 16-vjecares, A.G, po nga kjo komunë, pasi që për një kohë të gjatë e kishte keqpërdorur të njëjtën dhe e kishte shantazhuar duke përdorur detyrën zyrtare./